Kumucakos: Nuk përmenda Bollanon
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Kumucakos nuk ka përmendur kreun e Bashkisë së Himarës Vasil Bollano në prononcimin për gazetën "Panorama" të një dite më parë. Në një komunikatë për shtyp, Ambasada Greke në Tiranë tha se "nuk ka bërë ndonjë cilësim të çfarëdoshëm për pikëpamjet dhe kërkesat e zotit Bollano". Ndërkohë ajo theksoi se MSA do të ratifikohet shumë shpejt nga ana e Parlamentit grek. "Në lidhje me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes së Asociim- Stabilizimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë nga ana e Parlamentit grek, kujtojmë deklaratat më të fundit të Ministres së Jashtme të Greqisë znj. Dora Bakojani, sipas të cilave Parlamenti grek ka për ta ratifikuar Marrëveshjen dhe votimi respektiv do të bëhet në Parlamentin grek në periudhën kohore menjëherë vijuese", shprehet Kumucakos.