E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2008, qeverisë i teprojnë 12 miliardë lekë

 

Fabiola Çela

Edhe këtë vit Ministria e Financave do të kryejë një rishpërndarje të fondeve. Bëhet fjalë për ato fonde të përcaktuara për investime, të cilat nuk kanë mundur të shpenzohen në kohën e duhur. Pjesa më e madhe të këtyre parave pritet të shkojnë për financimin e rrugës Durrës-Kukës.
Fondet
"Pritet që të rialokohen rreth 10 deri në 12 miliardë lekë por janë disa rialokimi pothuajse të paracaktuara. mbasi shumica e rialokimi janë nga fondet e rezervës të kontigjencës" ka deklaruar dje për mediat, zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu. Përveç kësaj, çdo vit Ministria e Financave pak javë para mbylljes së vitit kryen një rialokim fondesh. Pra për ato projekte të cilat nuk kanë mundur të përfundojnë në kohë kryhet një rishpërndarje fondesh dhe këto para shkojnë për investime me prioritet kombëtar dhe investime që kanë studime fizibiliteti, midis të tjerave dhe rruga Durrës-Kukës. Në fakt kjo e fundit është kthyer në një 'gllabëruese' të vërtetë parash, pasi pjesa më e madhe e parave të buxhetit të shtetit shkojnë për financimin e kësaj rruge. Ky projekt është parashikuar që të përfundojë në qershor të 2009-ës.
Investimet
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të muajit shtator investimet janë realizuar 83 për qind e parashikimit të periudhës ose rreth 48.2 për qind e planit vjetor. Sipas përllogaritjeve rezulton se ka një mosrealizim të investimeve prej 9.3 miliardë lekësh. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 75.7 për qind, pra ka një mosrealizim prej 6.2 miliardë lekësh. Ndërsa investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 89.4 për qind të parashikimit, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 3.1 miliardë lekësh. Në krahasim me planin vjetor, këto investime janë realizuar respektivisht 39.8 për qind dhe 57.2 për qind. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin e kaluar investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.6 miliardë lekë më të larta ose rreth 22.8 për qind më të larta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet me financim të jashtëm, të cilat rezultojnë rreth 20.5 miliardë lekë më të larta ose rreth 3.7 herë më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total në fund të 9-mujorit janë afërsisht 24.2 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë ose 1.1 herë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›