Moti i keq, ndalon puna në portin e Durrësit
Koha e keqe që ka përfshirë Durrësin prej disa ditësh e shoqëruar me erë të fortë dhe shira të dendur si dhe ulja e temperaturave, kanë shkaktuar mjaft probleme në portin e Durrësit ku dje është ndërprerë totalisht puna. Në Gjirin e Durrësit, forca e detit shkon deri në gjashtë ballë, ndërsa shpejtësia e erës në 17 metër në sekondë, e cila fryn në drejtim të jug-perëndimit.
Era e fortë si dhe reshjet e shiut, kanë bërë që të pezullohet lundrimi për të gjithë mjetet e tonazhit të ulët dhe atë të peshkimit. Përveç kësaj, shiu ka krijuar probleme të mëdha dhe në sektorin e ngarkim- shkarkimi, ku anijet kanë mbyllur hambarët deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, për shkak të sigurisë. Burime nga kapiteneria bëjnë më dije se përkeqësimi i kohës është ndjerë që në orët e vona të pasdites së djeshme, ndërkohë që moti i keq pritet të vijojë përgjatë gjithë ditës së sotme. Tragetet janë ankoruar në kohë, ndërsa pritet që të mos ketë vonesa në nisjen e tyre për shkak të kohës së keqe. Përveç kësaj, shiu ka krijuar probleme të mëdha dhe nëpër rrugët e qytetit, në kalimin e automjeteve dhe kalimtareve. Më problematike situata është paraqitur në aksin rrugor Ura e Dajlanit- Shkozet, Ura e Dajlanit Plepa, si dhe në vendin e quajtur Unaza e Shkozetit. Ndërsa, kanë mjaftuar vetëm disa orë shi, për të përmbytur dhjetëra lagje dhe rrugë periferike të qytetit të Durrësit. Situata është paraqitur mjaft problematike në lagjen numër 14, 13 si dhe në lagjen numër 17. Situata emergjente krijohet sa herë që bie shi në qytetin bregdetar të Durrësit dhe shkak për këtë sipas shtabit të emergjencës, është bllokimi i kanaleve të ujera të larta si dhe amortizimi i rrjetit, duke shkaktuar përmbytje të shumta. Ndërsa si pasojë e reshjeve të shiut si dhe erës së fortë, në rrethin e Durrësit shumë fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Që prej mesnatës së djeshme në gjithë qarkun janë regjistruar temperatura të ulëta si dhe reshje të dendura shiu, ndërkohë që moti i keq pritet të vijojë përgjatë gjithë ditës së sotme.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1