Moti i keq, në Vlorë arrin vetëm një traget nga Italia
Moti i keq, që ka përfshirë bregdetin dhe hapësirën detare me Italinë, ka vështirësuar lundrimin e trageteve të linjës Brindisi-Vlorë dhe anasjelltas. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit të Qarkut të Vlorës, Myzafer Elezi, tha se për shkak të kushteve të vështira të motit, nga porti italian i Brindisit është nisur mëngjesin e sotëm vetëm një traget, i cili pritet të mbërrijë rreth mesditës ose me të paktën 5-6 orë vonesë. “Për shkak të motit të keq, i shoqëruar me erë të fortë, trageti “Agoudimos”që duhet të nisej nga Brindisi mbrëmjen e së mërkurës, u shkëput nga kalatat e portit italian, vetëm mëngjesin e sotëm”, bëri të ditur Elezi. Sipas tij, ky do të jetë trageti i vetëm që do të përshkojë sot linjën detare Brindisi-Vlorë, ndërkohë që për udhëtimin e tij, në kahjen e kundërt do të vendoset në varësi të dinamikës së kushteve të motit. "Aktualisht, forca e dallgëve ka arritur në 7-8 ballë, gjë që e bën tepër të vështirë lundrimin e mjeteve në det të hapur", sqaroi Elezi. Autoritetet portuale kanë vendosur nxjerrjen në radë të anijeve të transportit, për të parandaluar përplasjen e tyre me kalatat. Një situatë e ngjashme në portin e Vlorës, u regjistrua edhe dy javë më parë, kur për shkak të motit të keq, u pezullua nisja e trageteve drejt Italisë. Aktualisht, në linjën detare me Brindisin, funksionojnë dy tragete.
...