Konfirmohet tkurrja e paprecedentë e fundit të vitit 2008 në zonën Euro

Ekonomia në zonën euro është tkurrur në masën 1,5 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2008, konfirmoi sot Zyra e Statistikave Evropiane, me një ulje të dhunshme të eksporteve dhe rënie të investimeve. Kjo rënie e paprecedentë që pas krijimit të zonës euro në 1999 u njoftua gjatë një vlerësimi të parë të botuar nga "Eurostat"-i më 13 shkurt. Ajo është shtrirë në të gjithë Bashkimin Evropian, ku rënia e Prodhimit të Brendshëm Bruto është gjithashtu në masën 1,5 për qind, sipas Eurostat-it. Një ngushëllim i vogël: kriza ekonomike evropiane nuk është ende aq e thellë sa në SHBA. PIB-i amerikan ka rënë me 1,6 për qind në tremujorin e katërt. Në Japoni rënia është në masën 3,3 për qind. Gjithsesi rënia evropiane përkthehet me një rënie të ndjeshme të investimeve (-2,7% në tremujorin e katërt në zonën euro, -2,5% për BE-në me 27 vende), si dhe një rënie brutale të eksporteve (-7,3% për zonën euro, - 6,8 për qind për BE-në).
...