AH1N1, të "përbashkëtat" e viktimave
Fluks i ulët pacientësh me grip derri, por "tension" i lartë, më pak të konfirmuar me AH1N1, por kemi zgjerim të hartës së viktimave. Dje është shënuar vdekja e gjashtë në vendin tonë, si pasojë e prekjes nga gripit të derrit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij dikasteri kemi më pak të prekur nga grupi i derrit, fluksi i pacientëve është ulur, por nga ana tjetër, kampionët për analiza janë përqendruar më shumë te rastet e rënda, sesa te pacientët e prekur nga format e lehta të gripit.
Rastet e rënda me grip derri, aktualisht trajtohen në repartet e terapisë intensive në spitalin "Nënë Tereza" dhe qendrën spitalore universitare të sëmundjeve të mushkërive, Shefqet Ndroqi. Shërbimi i infektivit dhe reanimacioni i "Shefqet Ndroqit" kanë aktualisht pavijonet më të specializuara të terapisë intensive, kjo është edhe arsyeja pse të gjithë pacientët e vendit trajtohen në këto reparte.
Viktima e gjashtë
Dje është regjistruar viktima e gjashtë e virusit të gripit të derrit, AH1N1. Pacientja ishte një grua 51 vjeçe nga Kukësi. Të dhënat personale të pacientes nuk bëhen të ditura, ashtu si dhe për pesë pacientët e tjerë që humbën jetën për shkak të gripit të derrit. Gruaja 51-vjeçare ishte shtruar pak ditë më parë në gjendje të rëndë shëndetësore në shërbimin e infektivit, në QSUT. Dje rreth mesditës, ajo ka humbur jetën si pasojë e komplikacioneve. Pacientja ndodhej prej një muaji e shtruar në spitalin e Kukësit. Pas shfaqjes së rezistencës kundrejt mjekimeve dhe përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është sjellë menjëherë në Tiranë, për ndjekje të specializuar nga mjekët e infektivit. Sipas kartelës mjekësore të pacientesh, 51- vjeçarja vuante nga tuberkulozi dhe kishte kardiopati kronike.
Rastet e rënda
Aktualisht në vendin tonë janë edhe pesë raste të rënda, të cilët ndodhen në shërbimin e infektivit, si dhe në sanatorium. Tre nga katër pacientët e shtruar në infektiv kanë dalë nga rreziku për jetën, ndërkohë që një rast ndodhet nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe trajtim të specializuar. Katër raste të tjera ndodhen në Shërbimin e infektivit. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është jashtë rrezikut dhe e qëndrueshme, por sigurisht që gjendja shëndetësore e tyre është e rënduar.
Aktualisht në vendin tonë janë konfirmuar rreth 350 pacientë me AH1N1, por situata është përqendruar në ekzaminimin e kampionëve të rasteve të rënda, të vdekjeve të rastësishme. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, në këtë kohë duhet të shihen me prioritet të gjitha rastet që paraqesin komplikacione, nëse virusi AH1N1 pëson mutacione, por nga ana tjetër edhe nëse kemi qarkullim të dy viruseve në të njëjtën kohë.
Nga ana tjetër, viroza e stinës dhe fluksi i pacientëve të prekur me AH1N1 është shënuar në muajin nëntor. Pavarësisht kësaj, sipas departamentit të epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik duhet të jetë muaji shkurt, periudha e "trafikut" të përhapjes së dy infeksioneve, gripi i zakonshëm dhe ai i derrit.