Moti i keq "paralizon" Evropën
Pothuajse i gjithë Kontinenti Europian, është paralizuar nga moti i ftohtë dhe i acartë.
Vendi ynë fqinj, Italia, është mbuluar nga reshjet e dëborës dhe për pasojë edhe problemet e provokuara, janë të mëdha. Shumë fluturime ajrore janë ndërprerë për shkak të motit të keq, dhjetëra shkolla janë mbyllur, shumë rrugë e autostrada janë bllokuar tërësisht duke penguar qarkullimin normal të njerëzve dhe automjeteve. Probleme dhe dëme janë regjistruar edhe në linjat hekurudhore. Burime nga mbrojtja civile italiane u kanë bërë thirrje njerëzve që të dalin vetëm nëse është e domosdoshme. Vështirësi të mëdha ka patur në disa qytete të Italiasë, si Milano, Genova, Palermo, Catania, Torino, etj. Nga ngricat e shumta, reshjet e dëborës dhe tempraturat e ulëta, janë mbyllur disa aeroporte të Italisë dhe për pasojë janë anuluar edhe fluturimet me destinacione të ndryshme. Nga këto kushte atmosferike janë regjistruar edhe aksidente të shumta, ndërsa nuk kanë të sosur edhe telefonatat për shërbimin e emergjencës. Ndërkaq forca të ushtrisë janë vënë në dispozicion për t'u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të zhbllokuar situatën në disa rajone. Meteorologët thonë se pritet që reshjet e dëborës të vashdojnë edhe gjatë orëve në vijim . Edhe vende të tjera europiane, ashtu si Italia, janë goditur nga moti i ftohtë. Të paktën 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e të ftohtit që përfshiu Europën gjatë fundjavës.
Temperaturat në disa vende kanë shënuar -27 gradë celsius, ndërsa trafiku rrugor, ajror, hekurudhor e detar në Evropë është zhytur në kaos si pasojë e ngricave dhe rreshjeve.
Në kryeqytetin rus, bora, që ka qenë në sasinë më të madhe në 100 vjetët e fundit, ka bllokuar trafikun në një total prej 1,700 km. Nga përkeqësimi i kushteve atmosferike të paktën 15 njerëz kanë humbur jetën në Poloni, dy në Francë, dy të tjerë në Austri, një në Gjermani, dy në Itali, dhe të paktën 27 persona kanë ndërruar jetë këto ditët e fundit në Ukrainë si pasojë e motit të ftohte.
E gjithë Ukraina është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës që kanë shkaktuar trazira në trafikun ajror dhe rrugor.
Moti i keq ka shkaktuar bllokime të trafikut, në mënyrë të veçantë në rrugët në pjesën lindore të vendit dhe ulje të temperaturave deri në - 15 gradë Celsius. Nga përkeqësimi i kushteve atmosferike janë mbyllur të gjithë aeroportet e Belgjikës, ai gjerman i Duesseldorfit dhe ai britannik i Manchesterit.
Vala e të ftohtit ka nisur prej disa ditësh në kontinetin europian me temperatura rekord, që kanë arritur deri në - 33 ,6 gradë gjatë natës në Gjermani.