E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ortakët e Malltezit, firma private për projektin e jugut

Dy miqtë e dhëndrit të kryeministrit kanë hapur edhe firma të tjera për të përfituar projekte nga masterplani

TIRANË- Kompania e ngritur dy muajt e fundit nga dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, ngjan si një “fantazmë” e krijuar enkas për të fituar projektet në kuadrin e planit të Jugut, për të cilin është përgjegjës vetë Malltezi. Investigimi i “Shekullit” ka zbuluar se të tre ortakët e shoqërisë “Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm” (ose: Environment and Sustainable Development, ESD kanë kohë që njihen mes tyre. Për më tepër ata kanë kompani të tjera private, të cilat kanë po të njëjtin objekt pune, përfitimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore.

Një prej aksionerëve është Lirim Selfo, i cili njihet si një ndër specialistët më të mirë të mjedisit ka qenë ndër drejtuesit e administratës gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Madje pozicioni që Selfo ka pasur gjatë viteve 1992-1996 ka qenë në rang ministri duke pasur parasysh që aso kohe çështjet e mjedisit në Shqipëri nuk mbuloheshin nga një dikaster institucional. Lirim Selfo gjatë këtyre viteve ka qenë Kryetar i Komitetit të Mjedisit, ent ky që varej nga Ministria e Shëndetësisë. Me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, emri i Lirim Selfos është vetëm me projekte dhe kompani private objekti i së cilave ka përputhshmëri të plotë jo vetëm me projektin e Malltezit, por edhe me investimet e deklaruara nga qeveria shqiptare, për realizimin e të cilave është e domosdoshme vlerësimi i ndikimit të mjedisit. Pikërisht këto studime kryen edhe kompania në të cilën është aksionere me 33 për qind dhëndri i kryeministrit. Kompania “Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm” (ose: Environment and Sustainable Development, ESD), nuk është e vetmja që ka lidhje me Jamarbër Malltezin. Nën emrin e Ardian Shehut ekzistojnë edhe dy kompani të tjera që kanë në objektivat e tyre punë që kanë lidhje me mjedisin. Referuar të dhënave zyrtare, çuditërisht këto kompani janë të krijuara fill pas miratimit në KKRTSH-së të masterplanit të zhvillimit të bregdetit të jugut. Kymenaxhohet nga Jamarbër Malltezi dhe është financuar nga Banka Botërore.

Referuar të thënave zyrtare nga Qendra e Kombëtare e Regjistrimit, kompania tjetër e ortakut të Jamarbër Malltezit është krijuar në prill të vitit 2008. Emri i subjektit të firmës është Ardian Shehu dhe ka një nr. nipti K 81602051A. Ndërsa veprimtaria që ka kjo firmë, sipas të dhënave zyrtare, është “Studime dhe projektime në fushën e mjedisit, shkencat të tokës, Infrastrukturë industriale urbane”. Kjo nuk është e vetmja firmë që ka bashkëaksioner i Jamarbër Malltezit. Në vitin 2001 ai ka themeluar dhe vazhdon të jetë ortak në firmën “VIBER”. Edhe kjo firmë lidhet në objektivat e saj me disa nga komponentët e projektit të financuar nga Banka Botërore. Një ndër pjesët kryesore të masterplanit është restaurimi i rrugëve, ndërtesave dhe ujësjellësve. Pikërisht këto janë edhe punët me të cilat merret kompania “VIBER”

Kryqëzimi i projekteve të qeverisë me firmat

Edhe qeveria shqiptare ka disa projekte ku është parashikuar që të investohet në restaurimin e rrugëve, ndërtesave dhe ujësjellësve. Këto projekte menaxhohen nga Malltezi, dhe janë në përputhshëmri të plotë me objektivat e firmave të tij dhe miqve të tij. Dokumentet tregojnë se zoti Malltezi është 33 për qind aksioner me persona që jo vetëm kanë pasur një karierë në administratën e partisë Demokratike por edhe objektivat e kompanive komprometojnë statusin e tij. Referuar të dhënave zyrtare, fusha e veprimtarisë së këtyre kompanive private përputhen plotësisht me objektivat e projektit të financuar nga Banka Botërore për bregdetin e jugut. Veç kësaj, në kuadër të zhvillimit të projektit të jugut qeveria Berisha ka vendosur të zgjidhe qesen. Fondi i premtuar nga Kryeministri është plot 325 milionë euro. Ambientalisti ka kërkuar që dhëndri i kryeministrit të zgjedhë mes firmave private apo masterplanit të Jugut

Ferruni: Jamarbër Malltezi të lërë detyrën

Dhëndri i kryeministrit, në konflikt të hapur me detyrën si koordinator i projektit të “Zhvillimit të Integruar të Bregdetit të Jugut”. Të paktën kështu janë shprehur dje disa specialiste të mjedisit pas publikimit të fakteve që Jamarbër Malltezi është aksioner i kompanisë “Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”. Por më shumë se sa një konflikt të hapur me pozicionin e tij, specialistët e konsiderojnë këtë fakt mbylljen e një qarku mes njerëzve të besuar të investimeve të rëndësishme që ka premtuar kryeministri Berisha. Ndërtimi i parkut Energjetik në Porto Romano, ndërtimi i gjashtë fabrikave të çimentos, ndërtimi i centralit e deri tek rrugët e premtuara në bregdetit e Jugut, kërkojnë leje mjedisore, ku vlerësimet e ndikimit në mjedisit realizohen nga kompani të ngjashme me ato ku Jamarbër Malltezi është aksioner. Referuar deklaratave të specialistëve të mjedisit një fakt i tillë është pa precedent dhe lë shteg për abuzime. Lavdosh Feruni thotë për gazetën “Shekulli” se faktet e publikuara janë të papranueshme qoftë në aspektin administrativ ashtu dhe atë politik. “Është e papranueshme që i njëjti i person menaxhon një projekt për mbrojte të bregdetit të jugut ka dhe kompani objekti i së cilës është krejt i kundërt. Ky fakt lë shteg për abuzim sepse mbyllet rrethi në tre- katër duar”. Feruni thotë se një projekt i tillë do të menaxhohet prej saj ndaj dhe duhet të jetë më aktive në denoncimin e fakteve të tilla. “Bregdeti i Adriatikut po kthehet në një zonë me tipare të forta industriale. E vetmja pasuri bregdetare që i ka mbetur Shqipërisë është bregdeti jonian i cili menaxhohet nga dhëndri i kryeministrit. Në firmën në të cilën ai është aksioner konflikti është evident dhe i hapur. Jamarbër Malltezi duhet të zgjedhë ndërmjet menaxhimit të projektit të bregdeti të jugut dhe biznesit të tij privat- tha dje për gazetën “Shekulli” Lavdosh Feruni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›