Moti i keq shënon viktima në Itali
Italia është përfshirë nga një valë e papritur moti të keq, me reshje shiu dhe dëbore, që kanë goditur kryesisht rajonet qendrorë të vendit. Te paktën tre persona raportohet të kenë humbur jetën, ndërsa krahina më e goditur rezulton të jetë ajo e Marke. Kështu, në Fermo, dy persona që udhëtonin me makinë kanë humbur jetën, të përfshirë nga ujërat e lumit. Ndërsa në Askoli, një e moshuar 85-vjeçare, u gjet e mbytur në një kanal. Autoritetet kanë marrë masa duke evakuuar personat e rajoneve më të goditura, ndërsa parashikohet që reshjet e shiut të vazhdojnë deri në fundjavë. Ndërkohë, në shumë autostrada italiane, qarkullimi i makinave po kryhet me vështirësi, për shkak të reshjeve të pazakonta të dëborës në këtë fillim-pranvere. Pamjet më spektakolare vijnë nga Trieste, aty ku një stuhi e fortë, e ardhur nga deti, me erëra deri në 160 kilometra në orë ka marrë përpara gjithçka ka gjetur, ndërsa të paktën 100 persona kanë mbetur të plagosur. Stuhia ka sjellë shkëputje të linjave të energjisë elektrike, është ndalur lëvizja e anijeve dhe trageteve, ndërsa ka patur probleme edhe me qarkullimin në rrugë.
Shpërndaje