Moti i keq, vonesa të trageteve në portin e Durrësit dhe Vlorës

Ndryshimi i situatës sinoptike në 24 orët e fundit ka regjistruar jo pak probleme në portet e Durrësit dhe të Vlorës.Lajmi konfirmohet nga vetë kapiteneria e portit të Durrësit.Kështu mësohet se se ka pasur vonesa në mbërritjet e trageteve, në portin e Durrësit tragetet kanë mbërritur me 8 orë vonesë, ndërsa forca e dallgëve në det ka kapur shifrat 7.8 ballë . Stuhia detare dhe era e fortë me drejtim nga juglindja ka bërë të pamundur nisjen e trageteve mbrëmjen e kaluar drejt portit të Barit. Të dy tragetet e linjës kanë mundur të nisen vetëm mëngjesin e sotëm.Ndërkaq, reshjet e shiut që nisën në orët e para të mëngjesit kanë bllokuar përkohësisht punën për përpunimin e anijeve tregtare në portin më të madh të vendit. Gjatë ditës pritet që era të ketë të njejtin drejtim, nga juglindja, ndërsa temperaturat e ajrit në mesditë do të arrijnë në 8 gradë celsius. Deti i trazuar me forcë 6-7 ballë ka penguar lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël dhe të motopeshkatoreve. Gjithashtu edhe në Portin e Vlorës trafiku detar, i shkaktuar nga moti i keq, ka sjellë probleme të shumta. Mëngjesin e sotëm në Vlorë janë shënuar reshje të dendura shiu, të cilat parashikohen të zgjasin edhe gjatë ditës. Sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 10-12 gradë celsius dhe ato minimale nga 6-8 gradë celsius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.