E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, rikthehet i ftohti, temperaturat deri në -5 gradë



Tiranë - Gjatë tri ditëve të ardhshme termometri do të zbresë me 8 gradë celsius dhe reshjet e dëborës pritet që të pushtojnë gati gjithë vendin. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon se ditën e shtunë, pikërisht në ditën e të dashuruarve, temperaturat do të pësojnë një ulje me -5 gradë celsius. “Reshjet e borës do të bien mbi të gjithë territorin e vendit”, - thanë meteorologët.
Reshjet e dëborës kanë mbuluar të gjitha zonat e vendit dhe pritet që në ditët e ardhshme të kemi shtim të reshjeve që mund të shkaktojnë ngrica në rrugë dhe probleme në qarkullim.

Aksident pranë Fierit, plagosen dy persona

Fier - Aksident rrugor me pasojë plagosjen rëndë të dy personave ka ndodhur dje në segmentin Fier-Patos. Ngjarja ndodhi kur makina me të cilën udhëtonin Arsen Merko dhe Ardit Gremi u përplas me një kamion, duke shkaktuar plagosjen e tyre. Shkak për aksidentin, sipas informacioneve të deritanishme, ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit me të cilin udhëtonin të plagosurit. Prej aksidentit u bllokua për disa minuta qarkullimi në aksin Fier-Patos.

Skandali, korrupsion me telefon nga qelia e burgut

Tiranë - Policia ka vazhduar ta zgjerojë rrethin e të akuzuarve për dhënien dhe marrjen e parave prej 50 milionë lekësh që Besnik Brraka, një prej trafikantëve të drogës, ofronte në këmbim të uljes së dënimit të tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Motrës së Besnik Brrakës, Violanda Brraka 52 vjeç, i është komunikuar masa e sigurisë me “arrest shtëpiak”, pasi gjatë përgjimeve rezultonte se do të ishte ajo personi që do t’i jepte paratë prokurorit për të ndërmjetësuar për uljen e dënimit të Brrakës. Policia tha se në asnjë rast përgjimi telefonik nuk rezulton se, bashkëshortja e prokurorit, Marsela Balili, që ka qenë edhe kryesuesja e trupës së gjyqtarëve në ngarkim të Brrakës, të jetë përmendur në biseda. Çështja e prokurorit kishte dalë rastësisht ndërsa policia përgjonte telefonin e një trafikanti, i cili nga qelia drejtonte operacionin për shitjen e një sasie heroine në Lezhë. Paralelisht me drejtimin e shitjes së drogës ai bënte edhe ndërmjetësimin me prokurorin për lirimin e shokut të tij të qelisë. Policia ka ndërhyrë njëkohësisht në të dyja rastet, duke ndaluar prokurorin Plepi mesditën e djeshme, ndërsa ka ndërhyrë në mbrëmjen e së mërkurës duke arrestuar tre persona për trafik droge në momentin kur do të bëhej shkëmbimi i drogës.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›