E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç jep alarmin: “Më 17 shkurt, Kosova do të destabilizohet”

Serbia do t’u përkujtojë ndërkombëtarëve dhunën e 17 marsit të vitit 2004. Thaçi akuzon Serbinë: “Synon destabilitetin e Kosovës”

Blerina Olldashi
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, bëri të ditur se në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, nuk përjashtohet mundësia e destabilizimit të gjendjes në Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga agjencitë kosovare, të cilat deklaruan se Jeremiç ka paralajmëruar se qeveria serbe së shpejti do të angazhohet t’i përkujtojë opinionit ndërkombëtar 17 marsin e vitit 2004, kur në Kosovë pretendohet se është ushtruar dhunë ndaj serbëve. Sipas tij, kjo është një ngjarje e dhimbshme, e cila nuk mund të harrohet nga njerëzit dhe autoritetet serbe. “Nuk do të lejojmë të harrohet ky përvjetor dhe gjithmonë do ta rikujtojmë këtë datë tragjike, edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara edhe në UNESCO, por edhe në mediat më të fuqishme botërore”, - citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm serb. Përsa u përket marrëdhënieve të vendit të tij me Shtetet e Bashkuara, Jeremiç ka theksuar se Serbia ka probleme serioze dhe kjo për shkak të vëmendjes së veçantë dhe mbështetjes që i kanë dhënë SHBA-të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas tij, me administratën e re të Presidentit Obama ka shpresa për një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen edhe pse nuk priten ndryshime drastike. “Krijimi i administratës së re të Barak Obamës nuk nënkupton asnjë ndryshim drastik të politikës së Uashingtonit ndaj Ballkanit”, - citohet të ketë thënë Jeremiç. Për të gjitha trazirat dhe incidentet e ndodhura në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka akuzuar qeverinë serbe si të vetmen përgjegjëse. Sipas kreut të qeverisë, Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat të destabilizojë Kosovën dhe të rrezikojë integritetin territorial të saj.”Ne presim që Beogradi të kapërcejë mentalitetin e kohës së Sllobodan Millosheviçit në marrëdhëniet me Kosovën”, - u shpreh Thaçi për agjencinë franceze të lajmeve, AFP. Ai shtoi se qëndrimi shovinist i serbëve është i papranueshëm dhe ftoi Beogradin të nisë një fillim të ri në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas kryeministrit, Kosova ka vullnet të mirë për normalizimin e marrëdhënieve, njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë si dy shtete të pavarura, hapjen e ambasadave të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Rehn, Serbisë: “Integrimi në BE nuk ka lidhje me Kosovën”

Gjatë vizitës që ka zhvilluar dje në Beograd, komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Rehn, ka deklaruar se integrimi i Serbisë në BE nuk ka asnjë lidhje me statusin e Kosovës. Duke folur pas takimit me Presidentin Tadiç, Rehn theksoi se qëllimi i Bashkimit Europian është përmirësimi dhe mbështetja e situatës sociale në Kosovë. Ai gjithashtu shtoi se po shqyrtohet ideja e një pakoje financiare përmes së cilës do të mbështetet rajoni i Ballkanit në përballjen me sfidën ekonomike. Në këtë vizitë, komisioneri Rehn bëri një vlerësim të bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Beogradi thotë se Serbia është e vendosur që t’i demonstrojë BE-së se po bën sa mundet për të arrestuar Mladiçin. Deri në mometin që ai do të kapet, rruga e saj për në Europë është e mbyllur. Gjenerali Mladiç akuzohet për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit që shkatërroi Jugosllavinë në vitet ‘90-të. Ai është personi më i kërkuar i Europës pas arrestimit vitin e shkuar të ish-udhëheqësit serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›