E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshengritje U17 Elbasani fiton kampionatin kombetar

Është Elbasani kampion i Shqipërisë në peshëngritje për moshat deri 17 vjeç. Kjo skuadër e fortë e qytetit me traditë në shtangë, triumfoi në garën mes 15 ekipeve zhvilluar në pallatin e sportit të Vlorës, në kushte të të nxehtit të madh. Konkurrenca ishte e fortë, mes 46 sportistëve pjesëmarrës, ndërsa përveç elbasanasve të fortë ishin edhe Apolonia e Fierit, Vllaznia apo Tirana pa harruar edhe ekipin vendas “Ismail Bej Vlora”.
Elbasani fitoi dy pesha, atë deri në 62 kg me Asllan Hoxhën dhe deri në 94 kg me Albert Metën. Sportisti më i mirë i meshkujve doli peshëngritësi i Apolonisë, Albano Berberi, që doli kampion në peshën deri 77 kg, duke ngritur 125 kg në shkëputje dhe 145 kg në shtytje, pra 270 kg në dygarësh.
Përveç Elbasanit, tituj kampionë fituan edhe Apolonia me dy peshëngritës dhe po ashtu Tirana e Vllaznia me nga dy. Apolonia fitoi edhe peshën deri 56 kg me Arbi Çekrezin, Tirana fitoi në 45 kg me Kurti Ramadanin dhe në 85 kg me Sopot Sulën, ndërsa Vllaznia fitoi në peshën deri 69 kg me Flogert Malin dhe në peshën mbi 94 kg me Arian Çekrezin.
Një titull individual u fitua nga Ismail Bej Vlora me anë të Toto Tozajt deri në 60 kg.
Kjo përsa i përket meshkujve, sepse tek femrat mund të thuash se nuk pati aspak kampionat. Në pedanë u paraqit vetëm një sportiste, Besiana Kollozi e Partizanit që garoi e vetme në peshën deri 75 kg, duke ngritur 105 kg në dygarësh. Siç mund të merret me mend, Kollozi u shpall edhe sportistja më e mirë femër e kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›