E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motorët e detit, pezullohet dhënia e patentave

Vdekja e tre personave për shkak të mungesës së kontrollit nga ana e strukturave përkatëse të shtetit ndaj motorëve të detit ka pasur një ndikim jo të paktë të pushuesve. Shumë prej tyre janë kundër përdorimit të mjeteve të tilla në ujë


Motorët e detit janë kthyer në një ankth për shumë prej pushuesve.


Aq më tepër në momentin kur janë bërë shkak për humbjen e jetëve njerëzore. Ndërkohë, nga ana e kapitenerisë së përgjithshme bëhet e ditur se që prej datës 1 korrik është vendosur pezullimi i dhënies së patentave për motorët e detit.


Burime nga ky institucion shprehen se kanë nisur procedurat për ndryshimin e kritereve të dhënies së këtyre patentave e jo vetëm. Pritet që të shqyrtohet edhe ndryshimi i formatit të vjetër, duke qenë se tashmë do të jetë një qendër e vçantë që do të merret me trajnimin e personave që do të dëshirojnë të marrin një leje drejtimi.


Në një bashkëbisedim me drejtues të kapitenerisë mësohet se deri më 30 qershor të këtij viti, kriteret për dhënien e një leje drejtimi të mjeteve lundruese (motor deti apo varka të vogla) kanë qenë: paraqitja e një mjeti identifikimi, fotografi, disponimi i mjetit, si dhe një testim lidhur me faktin nëse personi që kërkonte të pajisej me patentë dinte apo jo not, i cili shërbente në rast të ndonjë avarie në det.


Një përgjigje e tillë ka qenë edhe vendimtare për dhënien e kësaj patente, që shpeshherë është lënë në ndërgjegjen e personit që dëshironte të merrte lejen.


Nuk ka pasur asnjë lloj trajnimi të vçantë për përdoruesit e këtyre mjeteve, ndërkohë që me patentën që jepej, mësohet se kufizimi i vetëm ishte lundrimi jo më larg se një milje nga bregu i detit. Që nga viti 2002 e deri më sot nga katër kapiteneritë në vend janë lëshuar rreth 750 patenta.


Nga kapiteneria bëhet e ditur se kërkesat për motorët e ujit kanë ardhur më tepër pas vitit 2006, kohë në të cilën është miratuar edhe moratoriumi për mjetet e ujit, ku u pezullua qarkullimi edhe i mjeteve për qëllime turistike përfshirë edhe motorët e ujit.


Gjithsesi mësohet se gjatë kësaj kohe në Shqipëri kanë hyrë motorë, të cilët janë regjistruar prej pronarëve të tyre në policinë kufitare, pavarësisht se vendimi për ndalimin e tyre ka qenë në fuqi.


Çuditërisht, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar e po kështu edhe përgjatë këtij viti ka pasur aksidente me motorë, mësohet se deri në maj të këtij viti, motorët e detit nuk duhet të ishin lejuar që të lundronin.


E nëse ky vendim do të ishte zbatuar, do të ishin kursyer të paktën tre jetë njerëzish. Monitorimi i tyre, sipas legjislacionit në fuqi, është një detyrë e cila i përket policisë kufitare.


Gjithashtu, bëhet e ditur se nga të gjithë motorët e detit të regjistruar në vendin tonë, nuk ka asnjë prej tyre që të jetë i licencuar nga Ministria e Turizmit. Një gjë e tillë nënkupton se dhënia me qira e motorëve të detit është e ndaluar.


E do të mjaftonte pikërisht respektimi dhe zbatimi i një pike të tillë nga ana e strukturave vendore e qendrore të shtetit për të shmangur ato aksidente që kanë ndodhur në brigjet shqiptare dhe ku jo rrallë adoleshentë të ndryshëm kanë shkaktuar përplasje me pushues të cilët kanë qenë duke notuar apo edhe duke u rrezellitur në rërë, kur motorët e detit kanë "mbirë" pranë tyre. Pasi menjëherë mund të ndërhyhej për të bllokuar e sekuestruar mjetin përkatës. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, qarkullimi i mjeteve të tilla vijon.


Ndryshimet


Lidhur me pajisjen me leje drejtimi, drejtuesi në kapitenerinë e Përgjithshme, Edmond Doraci, shprehet se "kriteret duhet të ndryshojnë". Ai bën të ditur se tashmë është ngritur një grup pune dhe se po punohet për riformatimin e lejes së drejtimit, ndërkohë që vç tyre po mendohet edhe se si do të veprohet me patentat e dhëna deri në 30 qershor të këtij viti.


"Po punohet në këtë drejtim, - shprehet Doraci. - Besojmë që maksimumi brenda 2-3 muajve do të kemi mundur të përcaktojmë të gjitha kriteret që duhen plotësuar, ndërkohë që nga janari i vitit 2011 gjithçka do të jetë e kopsitur. Normalisht që po mendojmë për t'i realizuar gjërat në mënyrë që mos të na mësyjnë në dyer të gjithë, duke krijuar një kaos.


Është një bashkëpunim që do të bëhet me ministrinë, si dhe me policinë, pasi edhe ajo duhet të njohë formatin e ri të patentës që do të paraqitet. Normalisht që do të ketë një kosto tjetër, dhe jo thjesht 900 lekë të reja siç ka qenë deri më sot. Po trajtojmë ndryshim të formatit të dokumentit, ndryshim të kërkesave që duhen plotësuar, kompjuterizim të të dhënave. Është një fazë në proces, e cila paraqet vështirësi ekonomike dhe financiare".


Doraci bën të ditur se ka një vit që është ngritur qendra e trajnimit të detarëve, e cila do të jetë edhe një nga pikat e trajnimit të personave që do të kërkojnë të pajisen me lejen e drejtimit të mjeteve detare. Deri më tani këto leje jepeshin nga katër kapiteneritë (Shëngjin, Durrës, Vlorë, Sarandë) me urdhër të kapiteniterisë së përgjithshme.


Motorët e detit, ankesat dhe kundërankesat


Motorët e ujit janë shfaqur sidomos në vitet e fundit. Pavarësisht se moratoriumi i miratuar në vitin 2006 ndalonte qarkullimin e çdo mjeti lundrues, përfshi edhe motorëve të ujit, përgjatë vitit të kaluar përdorimi i tyre ka qenë i shpeshtë.


Madje, gjatë verës së vitit 2009 në plazhet shqiptare motorët e ujit shkaktuan disa viktima, ndërkohë që jepeshin me qira në shuma që varionin nga 6 000 - 8 000 lekë/ora. Por, edhe për këtë verë dhënia me qira e këtyre mjeteve ka vijuar, ndërkohë që e vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti se është rritur sasia e parave që duhet paguar për një orë duke shkuar në 100 euro.


Asnjë nga personat i cili jep me qira këto mjete nuk është i licencuar, teksa as personat që i drejtojnë nuk janë të pajisur me patentë, pasi një e tillë nuk kërkohet në momentin e qiradhënies.


Ndërkohë, pronarë të mjeteve të tilla, të cilët i kanë blerë për vetëpërdorim, ankohen se papërgjegjshmëria e personave të caktuar nuk duhet të çojë në ndëshkimin e të gjithëve.


Vlorë, bashkia ngre supet për investimin


Ndërkohë që nga ana e pushtetit qendror është urdhëruar vendosja e pikave ku do të qarkullojnë motorët e ujit, nga ana e pushtetit vendor një gjë e tillë është lënë jo pak pas dore.


Duke përjashtuar Bashkinë e Durrësit e cila ka përcaktuar një vend të vçantë vetëm për motorët e detit, në bashkitë e komunat e tjera bregdetare një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërsa nga ana e bashkisë së Vlorës bëhet e ditur se vendimet për motorët e detit nuk kanë qenë ende të qarta për t'u zbatuar.


Udhëzimi për bashkëpunimin me drejtoritë e kufirit ka mbërritur në njësitë e vendorit, të cilat ngarkohen për të detajuar pikat nga do të dalin këto mjete lundruese, si dhe përcaktimin e kufijve se ku do të lëvizin ato.


Në bashkinë e Vlorës mësohet se janë përcaktuar 6 pika të tilla, por mbetet ende e paqartë pjesa e dytë. Nënkryetari i bashkisë, Edmond Leka, pohon se në shkresë nuk është e qartë se kush do ta kryejë investimin referuar............................. këtyre kufijve.


Pikërisht kjo e fundit dhe mospërcaktimi i detajeve për të, kanë lënë pezull veprimet për mirëfunksionimin e motorëve të ujit. Kjo infrastrukturë do të përgatitet nga ana e vendorit apo e privatëve, është ende problemi i lënë pezull, çka nuk ka ndihmuar mirëfunksionimin e mjeteve motorike.


Pak ditë më pare, në një intervistë për "Shekullin", kreu i policisë së Vlorës, Ylli Metko, ftoi njësitë e vendorit për të përcaktuar hapësirat ku mund të lëviznin këto mjete motorike.


Siç bëri me dije ai, policia do të ishte e detyruar të vepronte deri në bllokimin e këtyre mjeteve. Aktualisht, ende nuk ka veprime të përcaktuara për këto territore nga vendorët, pasi, sipas tyre, vendimet e përcjella zyrtarisht nga struktura të qendrës lënë të paqarta detajet.


Në pak plazhe private të Jonit janë vendosur tapa, ndërhyrje këto që janë bërë për të orientuar në plazhe, thjesht privatisht, nga ana e administratorëve. Ndërkohë, sezonit po i vjen fundi e pak nga pronarët e mjeteve po gëzojnë vërtet mallin e regjistruar prej tyre.


Pushuesit dhe motorët


Motorët jo rrallë kanë qenë makth për pushuesit. Disa prej tyre shprehen se kanë frikë kur i shohin në qarkullim. Nuk janë të pakta rastet kur këto mjete merren nga adoleshentë apo persona të papërgjegjshëm të cilët u afrohen pushuesve në kufijtë e mundshëm, dhe jo rrallë shkaktojnë aksidente, e ndihmuar kjo nga fakti që motorët e detit nuk kanë vende të caktuara për qarkullimin e tyre.


"Ishim ulur në një lokal të futur pak në det, - u shpreh një pushues në Durrës. - U afrua një person me motor deti dhe filloi manovra duke hedhur ujë derisa na lagu e na bëri qull. Më pas u largua".


Një tjetër pushuese në Velipojë tregon se ka përjetuar ankth kur pa një 13-vjçar i cili drejtonte një motor deti dhe u fut në rërë me gjithë mjetin duke plagosur një grua që qëndronte në shezlonin e vet.


"Isha në Sarandë. Kam shpëtuar kot nga një motor uji", tregon një tjetër person duke vijuar frikën e tij për këto mjete, ndërkohë që nga ana e policisë nuk ka të raportuara raste për bllokim të këtyre motorëve, pavarësisht problemeve që u shkaktojnë pushuesve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›