Trashëgimia në duart e fizikës bërthamore

Ka një fazë për trashëgiminë kulturore të të gjitha llojeve e cila i nënshtrohet metodës së analizave të fizikës bërthamore.
Prof. Niko Civici tregon raste të rëndësishme për: një gjoja Rembrand apo për të kuqen e Onufrit. Bashkëpunimi spontan me strukturat e trashëgimisë. Mungojnë specialistët dhe fonde të posaçme
Qendra e Fizikës Bërthamore të Aplikuar emër që ish-Instituti i Fizikës Bërthamore e mori prej reformës në sistemin e kërkimit shkencor, është ndër të paktat pjesë të gjelbra që kanë mbetur aty ku fillon Komuna Dajt, zonë e cila po helmohet dita ditës nga ndërtimet dhe pasojat e tyre shumëfishe. Qendra është megjithatë në mesin e një gjelbërimi të frikshëm.
Ndërtesa është një labirint masiv gri. Nga jashtë duket të jetë ndërtesë e braktisur, në oborre dhe rrugica nuk duket këmbë njeriu. Stafi ka ardhur vetëm duke u rrudhur, së fundi, nga 50 punonjës, specialistë, u përgjysmuar prej reformës.
Kjo strukturë u krijua rreth dyzet vjet përpara dhe pati si bërthamë mëmë Laboratorin e Rrezatimeve Bërthamore pranë Universitetit të Tiranës.
Është folur pak ose aspak për një angazhim shumëvjçar që qendra ka në fushën e trashëgimisë kulturore.
Prof. Niko Civici, përgjegjës i QFBA, prej viteve tetëdhjetë ka ndjekur nga afër operacione me metoda të fizikës bërthamore aplikuar në dhjetëra qindra objekte të trashëgimisë. Rezultatet e kësaj punë botohen në revista shkencore ndërkombëtare si Journal Cultural Heritage, duke bërë njëherësh edhe prezantimin e trashëgimisë sonë.
Prof. Civici, fizikan, tregon si është aplikuar kjo metodë, rastet më të vçanta marrë në shqyrtim dhe zbehja e atij që mund të ishte aksion i gjallë me specialistë të rinj dhe fonde të posaçme. Sepse për trashëgiminë nuk është bërë pak, por pyetje ngrihen më shumë se sa merren përgjigje.
Prof. Civici, si ka filluar bashkëpunimi i Institutit të Fizikës Bërthamore me trashëgiminë kulturore?
Problemi i nevojës së analizave për objekte të trashëgimisë kulturë, është një problem principal sepse nëpërmjet tyre ne njohim materialet me të cilat këto objekte janë prodhuar, njohim prejardhjen ne tyre, vendin e prodhimit, mund të hedhim ide për autorët. Kështu mund të dimë mënyrën se si ky material duhet ruajtur në gjendjen optimale.
Çfarë metodash analitike përdorni?
Metoda analitike ka shumë. Avantazhi që ofrojnë disa metoda të fizikës bërthamore është tek natyra e tyre jodestruktive. Pra objekti mund të analizohet pa e prekur fare, pa marrë mostra. Për këtë arsye kanë gjetur përdorim të gjerë vitet e fundit.
Një nga më kryesoret, është metoda e fluoreshencës së rrezatimit X. Mund ta krahasonim me një tip radiografie, parimi është i ndryshëm, por ideja është që rrezatohet objekti me një tufë rrezatimi X, merret përgjigja që vjen nga objekti i cili gjithashtu është një rrezatim që matet dhe mbi bazën e tij del në përfundime mbi llojet e elementëve që përbëhet mostra.
Metoda aplikohet në të gjitha objektet. Është një metodë moderne. Ka filluar të përdoret në vitet '70-'80. Këtu te ne ka filluar të përdoret në atë kohë.
Keni qenë në një hap me kohën?
Ndoshta Instituti ynë ashtu si dhe vendi, është një institut i vogël, por është zhvilluar kryesisht nëpërmjet projekteve me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe në këtë mënyrë kemi qenë të detyruar të ecim me të njëjtin ritëm me vendet e Rajonit po dhe më gjerë.
Me çfarë objektesh të rëndësishme keni aplikuar fillimisht?
Bashkëpunimi ynë me Laboratorin e Restaurimit dhe me institucione të trashëgimisë kulturore, fillon nga vitet '80. Një nga objektet më të rëndësishme ka qenë një pikturë që mendohej e Rembrandit. Portreti i një plaku, "Çifuti shëtitës". Analizat janë kryer në laboratorin tonë. Ky ka qenë objekti i parë i rëndësishëm.
Ju e keni analizuar kaq herët, përse ka vazhduar deri vonë legjenda dhe dyshimi se portreti mund t'i përkasë Rembrandit? Deri ku vlejnë provat dhe dëshmitë që ju jepni me analizat e një objekti?
Analizat tregojnë përmbajtjen e disa materialeve të cilat mendohet që nuk i ka përdorur Rembrandi, por fjalën kryesore në këtë rast e kanë historianët e artit. Ata e gjykojnë veprën edhe nga pikëpamje të tjera. Ne analizojmë një restaurim të mëvonshëm që mund t'i jetë bërë pikturës në një pjesë të vçantë. Ne kemi ndihmuar në identifikimin e kësaj enigme.
Një bashkëpunim më i frytshëm me trashëgiminë filloi në vitet '95-96. Ofruam një projekt për analizimin e disa ikonave në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pastaj bashkëpunimi vazhdoi me objekte arkeologjike, terakota, monedha argjendi.
Nga arti ikonografik që duhet të jetë lëndë e bollshme për ju, çfarë rastesh do vçonit?
Objekti i rëndësishëm janë disa nga ikona të Onufrit që kemi analizuar në Muzeun "Onufri" të Beratit. Po edhe një sërë pikturash murale në kishat e Shqipërisë, në disa kisha pikturuar nga Onufri, në Berat në Kishën e Shën Mari Vllahernës, të Shën Triadhës, Shën Todhrit...
Më të rëndësishmet...
Më të rëndësishmet. Studiuam pigmentin e pikturës murale në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë. Aty marrim informacion për gjendjen e ruajtjes, mënyrën se si degradojnë materialet e pikturës, që është shumë ë rëndësishme për restauratorët për të penguar degradimin. Pastaj i hyhet një krahasimi dhe arrin në rezultate të ndryshme.
Për shembull?
Ka një rast interesant. Kemi analizuar freskat e Onufrit në kishën e Shën e Premtes në Valsh. Kemi gjetur një pigment blu që e quajnë zmalt dhe që është zakonisht qelq me kobalt. Përmban dhe disa mikroelemente. Kisha daton e viteve 1550-1555. Në një pikturë të Onufër Qipriotit, fundi i 1500-s, fillimi i 1600-s, identifikuam po këtë pigment zmalt i cili ka karakteristika të ngjashme me ato të Onufrit.
Në pikturën murale të Shën Thanasit, shek. XVII-XVIII, kemi gjetur po këtë pigment zmalt. Kjo tregon që për gati tre shekuj burimi i marrjes së këtij pigmenti ka qenë pothuaj i njëjtë. Pastaj sheh se edhe në Evropën Qendrore është gjetur ky pigment me këto karakteristika dhe zbulon se burimi kryesor kanë qenë ca miniera të zmaltit në Saksoni.
Pra kupton që Shqipëria ka qenë pjesë e një tregu të gjerë të materialeve të ndryshme në këtë fushë. Përvç ndikimeve kulturore nga Evropa, vë re që ka ndikime dhe shkëmbime në materiale me të. Kështu dalim nga arti dhe hyjmë tek zhvillimi i përgjithshëm shoqëror i vendit. Nëpërmjet një analize të thjeshtë mund të arrish në përfundime të kësaj natyre.
Çfarë mund të thoshit për të kuqen e Onufrit?
Nga pikëpamja e përbërjes nuk është shumë e ndryshme nga e kuqja që kanë përdorur autorë të tjerë, flas nga pigmenti që kanë përdorur. Zakonisht është e kuqe zhive diku e përzier me diçka të bardhë. Jo vetëm shkolla e Onufrit po edhe të tjerë kanë përdorur këto materiale.
Madhështia e Onufrit qëndron se di ku ta përdorë, di si t'i japë kontrastin, si ta kombinojë me ngjyra të tjera që t'i japë atë efekt të shkëlqyeshëm që ka. Të paktën kështu mendoj unë.
Artistët dhe mjeshtërit e atëhershëm megjithëse kanë punuar në kushte të vështira dhe më pak të ndihmuar nga teknologjia, u është dashur ta vrasin mendjen.
Nga analizat e objekte arkeologjike, çfarë mund të përmendi?
Rasti i terakotave që janë zbuluar në Seferan, në liqenet e Belshit. Duke i krahasuar me qeramika të të njëjtës periudhë të gjetura në Durrës dhe Apoloni, që kanë qenë dy qendrat kryesore dhe që mendohet se ato mund të kenë eksportuar prodhimet e tyre edhe në Blefsh që ka qenë qendër më periferike, vumë re që qeramikat ishin të ndryshme. Kjo të bën të mendosh që prodhimi i atyre terakotave mund të ketë qenë lokal.
Nga monedhat e argjendit, kemi studiuar monedhat e Thesarit të Kreshpanit. Gati, gjysmën, 100 e ca monedha. Kishte ndër të tjera monedha të mbretit ilir Monun - gjë nme rëndësi nga pikëpamja historike - monedha të Durrësit dhe të Korkyrës.
Vumë re që një pjesë e monedhave të Durrësit, ndryshonin nga pjesa tjetër e grupit, gjë që të bën të mendosh se në një fazë të caktuar Durrësi duhet të ketë përdorur një burim tjetër argjendi.
A keni pasur raste kur jeni dorëzuar?
Ndoshta janë të vogla këto raste, sepse ne vlerësojmë ofertën që bëjmë me kërkesën e "klientit". Nëse shohim se kërkesa e "klientit" është më e madhe se mundësitë që kemi, atëherë nuk mund të futemi. I rekomandojmë të shkojnë diku tjetër. Nuk mund të themi që kemi ndonjë peng në këtë drejtim. Natyrisht që edhe metodat që përdorim ne kanë kufizimet e tyre.
Doja të theksoja që kjo punë fillimisht filloi prej pasionit. Por në fund të fundit kryerja e analizave është një dokumentim që i bëhet veprës së artit. Shpeshherë është një dokumentim shumë i rëndësishëm sepse pengon, për shembull trafikimin e veprave të artit apo objekte të trashëgimsië.
Ka ustallarë që mund të bëjnë një kopje mjaftë të mirë të origjinalit. Dokumentimi që bëjmë ne është një tregues i origjinalitetit të veprës. Është një lloj dokumentitmi i objektit në tërësinë e tij, po dhe i punës që kryhet mbi objektin. Sepse gjatë punës që kemi bërë ne kemi vënë re që jo të gjitha fazat e restaurimit që kanë kaluar pikturat murale, janë dokumentuar.
Cila është e ardhmja?
Mbi përvojën në këtë aktivitet, përgatitëm një projekt rajonal mbështetur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, për të të përdorur metodën analitike në fushën e trashëgimisë kultuore. Ishte një projekt që zgjati tre vjet bënin pjesë vendet e rajonit dhe më gjerë, vende si Sllovenia, Turqia, Malta. Tani projekti është kthyer në projekt për gjithë rajonin e Evropës ku vazhdohet të punohet me këto metoda që po punojmë ne.
Sa njerëz keni angazhuar?
Pak, fare pak.
Është i nevojshëm një fond i posaçëm financiar?
Natyrisht. Ne kemi punuar në kuadër të projekteve bilaterale me Greqinë, aktualisht kemi një projekt me Italinë i cili vitin e kaluar nuk u pagua fare, edhe këtë vit vazhdon të mos paguhet. Jemi munduar të shfrytëzojmë burimet e brendshme. Jo gjithmonë ka qenë e mundur. Kjo punë bëhet si me shoqëri.
Si i keni marrëdhëniet me Institutin e Monumenteve të Kulturës?
Vijnë kërkesa nga Monumentet sepse kanë nevojë të bëjnë analiza. Këto marrëdhënie nuk janë të mbështetura si duhet.
Në vazhdim të bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, për këto tre vjet, deri më 2011, kemi një projekt kombëtar që do të mbështesë krijimin e një laboratori pranë institutit tonë të pajisur me pajisje dhe me njerëz.
Kemi përshirë edhe IMK. Shpresojmë që në gjysmën e dytë të vitit të shkojnë të ketë disa specializime. Të gjithë këto aktivitete e iniciativa që dalin nga poshtë nuk mbështetet zyrtarisht me fonde për projekte të caktuara.
Dhe një pyetje disi jashtë teme. Shpesh në gjuhën e vulgut thuhet se Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka ç'të flasë për fizikë bërthamore. Është paragjykim apo çfarë?
Fizika bërthamore është një term i gjerë dhe një fushë shumë e gjerë studimi dhe aplikimi. Ne folëm për artin dhe trashëgiminë, por aplikime të metodave bërthamore të cilat janë shumë të rëndësishme për ekonominë.
Me këto metoda kemi bërë hartën gjeokimike të Shqipërisë, kemi analizuar mostra dherash nga gjithë territori i vendit. Kjo është e rëndësishme qoftë për ndotjen e mjedisit, qoftë për anën gjeologjike, qoftë për bujqësinë. Kolegët e mi këtu pranë, merren me matjen e dozave të rrezatimit që marrin të gjithë profesionistët që punojnë në radiologji ose që përdorin burime të rrezatimit, i cili është gjithashtu një shërbim që kërkohet me ligj për t'u bërë.
Janë kolegët e mi që merren me monitorimin e radioaktivitetit në mjedis. Janë kolegët e mi që mund të prodhojnë radiofarmaceutikate që mund të përdoren në mjekësi për diagnostikime të ndryshme.
Kemi një laborator që është ngritur për atë punë por tani s'ka njeri. Janë të gjitha këto fusha që mbulohen nën emrin fizikë bërthamore të cilat janë aktivitete të rëndësishme për vendin. Ndoshta ka qenë e meta jonë që nuk i kemi bërë shumë publike.
Pastaj atë që përmendët ju, për fat të keq e kemi dëgjuar edhe nga profesionistë dhe më duhet të them se një pohim i tillë bëhet nga padija, por bëhet sidomos edhe nga dashakeqësia.