Motorët e detit, policia bllokon qarkullimin e tyre

SEZONI VEROR/ Drejtues të policies, në bashkëpunim me vendorët, kanë vendosur që të ketë kufizime të qarkullimit të motorëve të ujit. Plazhi i Durrësit tashmë nuk do të shohë më të tillë dhe as Velipoja
Motorët e detit, të cilët vera i bën të dukshëm, duhet të qarkullojnë brenda disa piketave. Këto të fundit përcaktohen nga vendori, ndërkohë që shkelja e tyre nuk do të kalojë pa penalizim. Kjo është ajo çka është diskutuar dje në qytetin e Vlorës, Durrësit e Shkodrës, që janë edhe qendra të sezonit veror dhe ku përdorimi i këtyre mjeteve të ujit është më i madh.
Vlorë, Metko: Kemi bllokuar katër motorë
Në një prononcim dhënë për gazetën "Shekulli", drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko, thotë se "tashmë është ngritur shtabi në rang qarku, ku ka nisur funksionimi dhe është bërë një mbledhje e tij në lidhje me sezonin turistik. Këtu paraqiten të gjitha pikat, përfshi edhe motorët e ujit. Është pushteti lokal ai që do të vendosë vendet se në ç'largësi dhe piketat ku do të funksionojë qarkullimi i motorëve të ujit.
Ka pasur disa probleme në lidhje me vendosjen e këtyre piketave dhe kjo i del si një barrierë policisë dhe nëse nuk do të jenë vendosur piketat nga ana e pushtetit lokal, policia do të bllokojë çdo lloj mjeti motor uji, edhe pse mund të jetë me dokumentacion". Numri një i policisë së Vlorës, ka bërë me dije se kjo më shumë se pjesë e bashkëpunimit, ka lidhje me detyrat e ndërsjellta.
"Policia e shtetit i ka detyrat e ndara dhe është shumë e qartë, se përderisa udhëzimi përkatës thotë se do të vendosen më parë piketat përkatëse nga ana e pushtetit lokal, ne po vijojmë funksionimin dhe po kontrollojmë ato mjete, të cilat kanë dokumentacion të rregullt për të qarkulluar sipas udhëzimit.
Nga informacionet që kemi nga drejtoria e kufirit, janë katër mjete që janë bllokuar pasi kanë qenë pa dokumentacionin përkatës. Përsa i përket vendosjes së piketave, ne nuk kemi proceduar me bllokimin e mjeteve, por me ndalimin e qarkullimit të tyre derisa të plotësohet edhe ky kusht nga ana e pushteti lokal",- përfundon Metko.
Durrës, motorët e ujit vetëm në Currila
Në mbledhjen e shtabit të kryesuar nga Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, u vendos që këto mjete të qarkullojnë vetëm në korridore të caktuara lundrimi, të cilat do të shënohen me sinjalistikë detare (bova). Policia kufitare do të lejojë që këto mjete të lundrojnë të paktën 300 metra larg bregut dhe jo më shumë se 1 milje larg tij.
Shkelja e këtyre distancave do të ndëshkohet. Shtabi vendosi që në momentet e ndalimit të motorëve të ujit në rërë, shpejtësia në lundrim të mos i kalojë 4 nyjet në orë. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se asnjë motor uji nuk do të lejohet në plazhin e madh kombëtar, Ai ka bërë me dije se "Bashkia e Durrësit ka vendosur që motorët të qëndrojnë në zonën e Currilave pranë portit të gjermanit.
Ata mund të lëvizin nga porti i Durrësit deri në Kallm. Kjo për arsye se ata janë shumë të rrezikshëm për të gjithë qytetarët që pushojnë në plazh. Përfundimisht të gjithë ata pronarë që zotërojnë këto mjete, duhet t'i zhvendosin në Currila, vendin e përcaktuar nga bashkia e Durrësit.
Ndërkohë që Bashkia do të vendosë bovat dhe do të përcaktojë me specialistë korridoret ku do të lundrojnë këto mjete, të përcaktojë distancën nga bregu dhe asnjë motor nuk ka të drejtë të kalojë kufirin e portit detar, i përcaktuar si kufiri për lundrimin e tyre. Zona e plazheve të Kallmit është sot zona më pak e frekuentuar nga pushuesit. Motorët e ujit janë të përqendruar më së shumti në plazhin e Shkëmbit të Kavajës.
Policia kufitare ka bërë dy bllokime motorësh uji dhe sipas shefit të Policisë Kufitare Naim Manuka: "Asnjë motor uji nuk do të lejohet të lëvizë në det nga ky moment që flasim!" Ai ka kërkuar që edhe komuna e Rrashbullit të përcaktojë vendet sipas kritereve të kërkuara.
Velipojë, dy të plagosur nga motorët e ujit
Në plazhin e Velipojës nuk do të lejohen të qarkullojnë motorët e ujit, pasi ato përbëjnë rrezik si dhe shqetësojnë pushuesit.
Kjo masë do të jetë në fuqi deri kur të përcaktohet vendi i përshtatshëm për qarkullimin e tyre si dhe pajisja me dokumentacionin përkatës e pronarëve të tyre.
Kështu ka vendosur Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit gjatë një takimi dyditor të zhviluar me mbështetjen e prefekturës së qarkut të Shkodrës, komunën e Velipojës dhe pronarët e motorëve të ujit.
Dy ngjarje aksidentale të ndodhura në ditët e para të këtij muaji në këtë plazh, ku nga motorët e ujit janë dëmtuar pushues, kanë bërë që të vendoset kjo masë.
Pas aksidentimit të një pushueseje nga Tirana, e cila ndodhej në rërë dhe u dëmtua nga një motor uji që drejtohej nga një i mitur dhe që i doli jashtë kontrollit, një tjetër rast ka ndodhur në këtë plazh ku një pushues 24-vjeçar nga Ferizaj i Kosovës, i cili kishte marrë një motor uji për të shëtitur dhe ka dëmtuar pa rrezik për jetën një pushuese në këtë plazh. Në takimin e zhvilluar ka rezultuar se kishte pronarë të këtyre mjeteve që nuk kishin asnjë dokumentacion për një biznes të tillë.