Apeli dënon si shkallë e parë gjermanët
Trafiku i drogës
Tentuan të trafikojnë 40 kile heroinë, Shkalla e dytë e Krimeve të Rënda la në fuqi dënimin për çiftin Kiaçek dhe ortakun e tyre
TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku katër të pandehurit u deklaruan fajtorë për akuzën e "trafikut të drogës", duke u dënuar në total me 49 vite burg. Mes të dënuarve është një çift me shtetësi gjermane, Franc e Rexhina Kiaçek (Franz Kiascek, Reggina Kiascek) të cilët janë cilësuar si "korrierët" e kësaj sasie droge prej 40 kile heroinë. Ata u dënuan me 11 vjet burg secili.
Bashkëkombësi i tyre Daniel Englet i cilësuar si "blerësi" dhe "pronari" i mallit, u dënua me 14 vite burg. Një shqiptar i cilësuar si "shitësi" i kësaj sasie heroine, i pandehuri Alban Pëllumbaj u dënua me 13 vite burg nga gjykata. Ndërkaq për të njëjtën histori, në një proces tjetër gjyqësor akuzohet edhe Zaim Tafa, pronar i një restoranti luksoz në Fier.
Sipas vendimit të Apelit, të pandehurit me shtetësi gjermane: Daniel Englert, Franc dhe Rexhina Kiaçek si dhe shqiptari Albert Pëllumbaj, së bashku dhe në role të ndryshme kanë konsumuar veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike" të mbetur në tentativë në bashkëpunim.
Të katër të pandehurit pritet të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar, pasi kanë përfituar ulje nga aplikimi shqyrtimit gjyqësor me procedura të posaçme (gjykim të shkurtuar).
Sipas vendimit, më 1 maj 2009 në vend kalimin kufitar të Kakavijës në Gjirokastrës, janë sekuestruar 40 kg lëndë narkotike, e llojit heroinë, e fshehur në automjetin e markës "Peugeot" me targa të gjermane "DON PA-179", që drejtohej nga i pandehuri, Franz Kiaçek ndërsa shoqërohej nga bashkëshortja e tij Rexhina Kiaçek, Kjo sasi droge, sipas vendimit, ishte e destinuar për t'u dërguar nga Shqipëria në Greqi, Itali dhe më pas në Gjermani. Fillimisht janë arrestuar nga policia në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, çifti gjerman Franc dhe Rexhina Kiaçek, pasi në mjetin e tyre u gjet dhe sekuestrua droga.
Më pas, po atë ditë, në aeroportin e Rinasit është arrestuar nga policia shtetasi Daniel Englert, që kishte organizuar trafikun e drogës dhe po tentonte të largohej. Dhe më pas në qytetin e Fierit dhe Patosit janë arrestuar dy shqiptarët Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa, ky i fundit vazhdon gjykimin për shkak se nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar ndaj tij. Dy shqiptarët, sipas vendimit, janë personat që kanë vendosur në makinën e çiftit gjerman drogën prej 40 kg heroinë, e cila është blerë nga gjermani Danil Englert.