E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motorët e ujit, kërcënim për pushuesit e Velipojës

05/07/2010 Spektakël të rrezikshëm në ujë, turistët “habiten” me indiferencën e policisë

Përdoren kryesisht nga “të fortët”, efektivët blu: Ankesa vetëm me shkrim

SHKODER- Mjetet motorike të ujit, ku përfshihen skuterët e ujit dhe varkat me motor, ashtu si çdo vit, edhe kësaj vere janë kthyer në një rrezik të përditshëm për jetën e plazhistëve të Velipojës. Ditën e shtunë rreziku u bë më evident, kur një pushuese 39-vjeçare u godit nga një skuter, fatmirësisht pa i marrë jetën. Megjithëse janë nxjerrë vendime qeverie dhe tashmë kemi hyrë në fazën e rritjes së konsiderueshme të fluksit të pushuesve, askush nuk po mundet të ndërhyjë siç duhet për eliminimin e veprimeve të parregullta të këtyre mjeteve në ujërat e këtij plazhi. Me qindra janë pushuesit që ankohen verbalisht, pranë punonjësve të policisë, që patrullojnë në plazhin e Velipojës. Sipas pushuesve, drejtuesit e këtyre mjeteve, jo vetëm ecin me shpejtësi të madhe në det, por shpesh herë kalojnë pa përfillur asnjë rregull ndërmjet grumbullit të madh të njerëzve që lahen në ujë. Por nga ana e efektivave të policisë, të cilët janë në gatishmëri të plotë në tokë, gjatë gjithë territorit të plazhit, kërkohet që pushuesit t’i bëjnë ankesat e tyre me shkrim dhe t’i depozitojnë pranë postës së policisë, sepse kështu e dashka rregullorja, duke qenë se ata nuk ndërhyjnë dot në ujë, ngaqë nuk është kompetencë e tyre. Nga ana tjetër pushuesit shprehen se ngurojnë të bëjnë ankesa me shkrim, ku duhet të përdorin emrat, pasi kanë frikë nga ndonjë pasojë e padëshirueshme, që mund t’u vijë më pas. Në lidhje me këtë problem, një grup pushuesish, emigrantë në Itali shprehen se kishin 7 vite që vinin me pushime nga jashtë në plazhin e Velipojës. Rreth 3-4 vite më parë kishin ndjerë një kënaqësi të madhe kur kishte parë që në këtë plazh, ashtu si në perëndim, se kishin filluar të përdoreshin mjetet motorike ujore për të shëtitur. Futja e këtyre mjeteve i kishte dhënë shpresa se edhe Velipoja po fillonte të modernizohej dhe t’i ofrohej sado pak, me mjetet argëtuese, plazheve të perëndimit. Por ndërkohë që mjetet në fjalë i mendonin si një kënaqësi për pushuesit, tashmë ata i shikojnë ato më tepër si mjete tmerri sesa kënaqësie dhe çlodhjeje. Mjetet motorike të ujit, shprehen këta pushues, gjatë gjithë ditëve, por sidomos të shtunave dhe të dielave, kur numri i plazhistëve dyfishohet, janë bërë të rrezikshme për jetën e plazhistëve, pasi drejtuesit e tyre shpesh herë kalojnë me shpejtësi të madhe edhe pranë atyre që lahen në ujërat e cekëta të detit. Në përgjithësi, shprehen pushuesit, ata që i përdorin këto mjete janë “të fortët”, të cilët sapo afrohen pranë pushuesve, kryesisht vajza, fillojnë të bëjnë figura të rrezikshme në det.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›