E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulm në lokal pasagjerëve shqiptarë, s’dihen autorët

05/07/2010 Plagosen 3 shqiptarë në Greqi

GREQI- Disa persona me maska e të armatosur kanë sulmuar një lokal në Agrinios, në të cilin në ato momente kishte vetëm klientë shqiptarë. Nga sulmi i maskave greke janë plagosur shtetasit shqiptarë Efimi Bika, 66 vjeç lindur në Përmet, Vangjel Stavro, 15 vjeç, lindur në Athinë dhe Soni Hodaj, 29 vjeç lindur në Fier. Sulmi ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit në qytetin e Agrinios, që ndodhet rreth 330 km nga kryeqyteti grek. Në momentin e sulmit përballë këtij lokali ishin të parkuar tre autobusë të linjës Tiranë-Athinë. Nga komunikimet e vazhdueshme me spitalin e Agrinios, Ministria e Jashtme ka konfirmuar se Vangjel Stavro dhe Soni Hodaj janë plagosur lehtë dhe pritet të dalin gjatë ditës së sotme nga spitali, ndërsa Efimi Bika, i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrje kirurgjikale dhe situata e saj paraqitet e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Me të marrë këtë njoftim ambasada jonë në Athinë, si dhe konsullata e përgjithshme në Janinë, kanë ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e krijuar, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm si me autoritetet policore, ashtu edhe me spitalin. Ministria e Jashtme i ka kërkuar autoriteteve kompetente të Greqisë që të zbardhin sa më parë rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje të rëndë, si dhe të nxjerrin sa më shpejt para drejtësisë kriminelët e kësaj ngjarjeje.

A.H

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›