E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici special, 3000 euro për një vizë shengen

05/07/2010 Operacioni “Ikona” prangos 3 persona, një tjetër në kërkim. Falsifikonin dokumente

TIRANË- Një polic është arrestuar pasi shfrytëzonte postin dhe punonte si sekser për viza shengen. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka zyrtarizuar përfundimin e operacionit të koduar “Ikona”, nga i cili ka përfunduar nën pranga edhe një punonjës policie. Falë këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë Agron Hoxha, 54 vjeç, banues në Tiranë, dhe Shkurt Toma, 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili është me detyrë punonjës policie në Repartin Special RESI. Gjithashtu është shpallur në kërkim policor shtetasi me inicialet L.K dhe janë dërguar materialet në gjendje të lirë për shtetasin Romeo Bici, 53 vjeç, me banim në Tiranë. Dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merrnin përsipër nxjerrjen e vizave shengen në ambasada të shteteve të huaja, të atashuara në Tiranë, kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 3000 (tremijë) euro, për një vizë shengen. Qytetarëve të ndryshëm, të cilët dëshironin që të merrnin një vizë shengen, këta persona u siguronin vizën duke u kërkuar si dokument vetëm pasaportën e tyre, ndërsa dokumentet e tjera, ata i siguronin në mënyra të ndryshme duke i falsifikuar ato, me synim marrjen e një vize shengen. Pas një hetimi disa mujor Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, kanë bërë të mundur realizimin e këtij operacioni. Nga burime zyrtare të policisë së Tiranës bëhet e ditur se vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave të tjerë të implikuar. Operacioni “Ikona” ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti dhe gjatë hetimit u bë i mundur edhe dokumentimi i aktivitetit kriminal të këtyre personave, në fushën e falsifikimit të dokumenteve, kryesisht certifikata si dhe karta identiteti të shteteve të huaja, duke bërë të mundur kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit nëpërmjet përdorimit të këtyre dokumenteve të falsifikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›