Serie A, më e vështira në botë

Cesena po kalon momente të vështira këtë sezon, por Erjon Bogdani mundohet t’i qetësojë tifozët e këtij ekipi, të cilët kanë filluar t’i vërshëllejnë të simpatizuarit e tyre. Sulmuesi shqiptar thotë se kampionati italian, Serie A, është mjaft i vështirë dhe se tifozët duhet ta kuptojnë këtë dhe se vërshëllimat e shikuesve nuk e çojnë askund ekipin italian.
“Isha i vetëdijshëm se do na priste një kampionat i vështirë. Serie A është liga më e vështirë në botë. Duhet të mbetemi të qetë. Jemi të vetëdijshëm tashmë për faktin se nuk mund t’i zhvillojmë të gjitha ndeshjet për të fituar, ngase në disa raste edhe barazimet mund të na ndihmojnë që të lëvizim në tabelë”, u shpreh 33 vjeçari për calciomercato.com.
Përfaqësuesi shqiptar shton se Cesena ka nevojë të pësojë më pak gola, por për ngathtësinë në repartin defanziv nuk e fajëson vetëm mbrojtjen, po të gjitha repartet, të cilat thotë se janë përgjegjëse për pësimin e golave. Bogdani e kupton mllefin e tifozëve, por ai thekson se ata duhet ta kuptojnë se Cesena ka një skuadër të re, e cila shpesh bie nën ndikim të presionit.
Sipas ish futbollistit të Veronës, Chievos dhe Livornos, Cesenës i nevojiten t’i kompensojë pikët që i ka humbur në ndeshjet e fundit, por, shton ai, nuk është e nevojshme të dramatizohen gjërat.