E Diel, 1 Nëntor 2026

Motrën ma përdorën si karrem për vrasje

Banda e Durrësit Dëshmon në gjykatë Genta Jaho. Tregoi me gisht Indrit Taullain si personin që kishte rrëmbyer Valbonën

“Anëtarët e bandave të Durrësit më kanë rrëmbyer motrën për disa muaj. Policia nuk më pranonte denoncimet për disa persona”. Kështu ka deklaruar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Genta Jaho, motra e dëshmitares së drejtësisë, Valbona Jaho, e cila është përdorur nga disa pjesëtarë të bandave të Durrësit si “karrem” për të vrarë shtetasin Marsel Sotiri. Për më shumë se pesë orë, Genta ka dhënë versionin e saj të ngjarjes, nga tentativat për të gjetur të motrën dhe deri te përpjekjet për të denoncuar ngjarjen në polici. Askush nuk e ndihmonte, ndërsa rrëfimet e saj të sinqerta para oficerëve të policisë gjyqësore nuk merreshin parasysh.

Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në fillim të shqyrtimit gjyqësor u hodh ideja e marrjes se dëshmisë së saj përmes videokonferencës, por avokatët kundërshtuan. Trupi gjykues vendosi se dëshmia duhet të jepej me dyer të mbyllura.

Genta ka drejtuar gishtin tek i pandehuri Indrit Taullai, duke e akuzuar për rrëmbimin e motrës dhe përdorimin e saj si karrem për të nxjerrë në pritë Sotirin. Vajza me origjinë nga Skrapari, është shprehur se Taullai jo vetëm i ka marrë motrën, por edhe e ka kërcënuar se do ta vriste nëse bënte kallëzim në polici. Nga të dhënat, që kanë dalë nga seanca e pyetjes së Gentës, ka rezultuar se Valbona ka qenë e dashura e Klodian Saliut, (i vrarë disa kohë më pas). Klodian Saliu e ka përdorur Valbonën si karrem për Marsel Sotirin, madje e porositi që të bëhej e dashura e tij duke qëndruar disa ditë me të në një shtëpi të marrë me qira në plazhin e Durrësit.

Mësohet se ditën e ngjarjes kur u vra Sotiri, Valbona ka qenë së bashku me motrën e Lulzim Berishës në kafe, ndërsa është përgatitur terreni. Vajza ka pirë kafe me Marsel Sotirin dhe sa është larguar prej tij 100 metra larg ka dëgjuar të shtëna. Pas këtij momenti Indrit Taullai e ka marr peng dhe e ka kërcënuar me vdekje nëse tregonte çfarë ndodhi.

E motra e saj ka treguar dje në gjykatë se është kërcënuar nëse bënte përpjekje për të liruar motrën. Një seancë më parë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshmoi edhe oficeri i SHISH-t në Durrës, Albert Strati. Ky person tha se ka takuar Genta Jahon në Durrës, e cila i ka thënë se policia nuk i merrte në konsideratë kallëzimin. Por pas takimit me disa persona, Genta kishte ndryshuar mendje, duke deklaruar se Indrit Taullai ishte një i njohuri i motrës së saj.

Ndërkohë, gjykata është në pritje të dëshmisë tjetër po kaq të rëndësishme për procesin, dëshmisë së Valbona Jahos. Mbi të pandehurit e të ashtuquajturës Banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›