E Diel, 1 Nëntor 2026

Zihen nxënësit e 9-vjeçares, plagoset me thikë i mituri

Tiranë

Një sherr me thika mes nxënësve në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë ka shkaktuar një të plagosur dhe dy të shoqëruar në polici. Ngjarja e rëndë ndodhi dje paradite në shkollën “1 Qershori”, ku një grup nxënësish janë grindur dhe më pas konfliktuar me njëri-tjetrin në oborrin e shkollës. Ka qenë njëri prej tyre, i cili ka goditur një prej moshatarëve me një thikë, që e mbante me vete. Mësuesit të alarmuar kanë dërguar nxënësin në spital, ndërsa kanë vënë në dijeni policinë për ngjarjen. Ende nuk janë qartësuar rrethanat e ngjarjes, por policia po heton për ta zbardhur. Mësohet se nxënësi i plagosur ndodhet në kushte të rënda në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar në komisariat dy nxënës. Kjo nuk është ngjarja e parë e kësaj natyre, e ndodhur në shkollat, ku studiojnë minorenë. Grindjet me thika dhe mjete të tjera të forta në oborret e shkollave janë kthyer në shqetësim për policinë. Ngjarje të tilla kanë vënë në pikëpyetje sigurinë dhe kontrollet e rrepta në shkollat shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›