E Diel, 1 Nëntor 2026

Mou: Do të kthehesha në Milano, por jo për të shpëtuar Interin

SHKRUAN: Jeton Selimi 23-12-2010 11:54

Ai është tërësisht i fokusuar te aventura e tij e re me spanjollët, dhe deklaron se do t’i pëlqente të drejtonte kombëtaren portugeze, ndonëse pranon se nuk do të duronte dot një vit ku luhen vetëm 10 ndeshje dhe 20 stërvitje

Nuk është miku më i mirë i Rafa Benitezit, por as Zhoze Murinjo nuk do ta kishte imagjinuar një krizë të tillë për Interin vetëm pak muaj pas sukseseve të mëdha. Sigurisht që ai ka kënaqësinë njerëzore të atij që ndien se e kërkojnë me dëshpërim, sidomos kur shikon sms dhe e-mail pa fund që dërgojnë drejt tij protagonistë zikaltër me peshë, përfshirë edhe presidentin. Valdebebas, ciudad deportiva i Real Madridit: Mou vesh xhupin pa mëngë ngjyrë të bardhë, tenisët e zinj, bën shaka rreth elegancës së veshjeve italiane dhe, duke qenë se stërvitja do të nisë pas vetëm 15 minutash, kërkon që t’i dorëzojnë Rui Farias një tufë letrash plot me skema, shigjeta, emra dhe situata loje. “Kthehem pas pak…”

E dini se Benitez mund të jetë shkarkuar nga Interi përpara se kjo intervistë të publikohet?

Nuk e di dhe nuk dua ta di. Më intereson Interi, miku im president, miqtë e mi lojtarë dhe tifozët që në dy vjet kanë dhënë gjithçka. Dua të fitojnë kudo, veç Champions, pasi aty është Reali, cilido qoftë trajneri.

Ndërkohë Interi është shpallur kampion bote.

Është një gëzim i madh, si muzika e himnit tonë. Është një krenari e madhe të kesh qenë trajneri i kësaj skuadre, të këtyre lojtarëve që, në 99 %, janë po ata që kanë nisur rrugën drejt Botërorit.

Por ja që është bërë gjullurdi e madhe pas frazave të Benitezit...

Ajo që ka thënë nuk ka nevojë të komentohet. Prisja të paktën një falënderim për suksesin që i dhurova. Pyesni interistët se çfarë mendojnë për mua dhe për atë.

Më e vështirë të jesh trajner i Interit pas Mançinit apo pas Murinjos?

Edhe të vije pas Robertos nuk ishte e lehtë. Sidomos në dimensionin italian, pasi fitoi dy tituj plus një… Në raste të tilla duhet të prezantohesh i shpenguar, pa dëshirën për të fshirë me patjetër atë që ka bërë paraardhësi dhe as të gjesh justifikime në të shkuarën për problemet e të tashmes.

Ngjan si një thumbim…

Asnjëherë nuk jam shqetësuar për mënyrën sesi stërviste, mendonte e luante Roberto. Por ja që mbërrita në Apiano dhe e pashë. Më mirë, pashë foton e tij në të djathtë të zyrës sime. Duke shkuar drejt parkimit, ishte një fotografi gjigante e faqes së parë të Gazzetta-s që celebronte kupën e tij të parë. Për mua nuk ka qenë kurrë një problem: ndërtova Interin tim pa menduar fare për të shkuarën. Dhe kjo gjë nuk vlen vetëm për Interin, historia e afërt nuk mund të jetë një faktor presioni. Duhet të mendosh me respekt.

Ndërsa Benitezi…

U gjend në situatën ideale! Kishte mundësinë të fitonte tri trofe me katër ndeshje. Një situatë që të gjithë trajnerët e botës do ta dëshironin. Por, parë nga larg, duket se ky Inter po përjeton një moment problematik. Shpresoj që ta mbyllë me sukses dhe, nga nesër, Interi të kthehet ai i sezonit të shkuar. Ajo skuadër që lashë përpara se të vija te Reali: e lumtur, gazmore, plot besim.

Ajo që i pëlqen Moratit.

Morati… Morati është fenomen. Më pëlqen gjithnjë e më shumë. Mësova të fitoj me të, ai mësoi të ishte trajneri im dhe ju siguroj se nuk është e lehtë. Unë u bëra një trajner më i mirë, ai një president më i mirë. U rritëm së bashku.

Flisni shpesh?

Ai më merr për momentet e bukura të Realit, unë bëj të njëjtën gjë. Përpara përfundimit të Inter-Mazembe, i dërgova një sms urimi.

Fjala rikthim nuk ekziston në fjalorin tuaj?

Në karrierën time nuk ka ndodhur kurrë. Kisha dyer të tjera për të hapur dhe eksperienca të tjera për të bërë. Nëse duam, mund të rinisim gjithçka, por në curriculumin tim më mungon vetëm kombëtarja.

Synoni Portugalinë?

Po. Do të ishte një eksperiencë më shumë emocionuese sesa profesionale, sepse komisari teknik nuk është një detyrë për të cilën kam lindur. Nuk mund të luhen 10 ndeshje dhe të bëhesh 20 stërvitje në vit. Nuk bën për mua. Do të ishte njësoj sikur t’i jepnit Alonsos një makinë rally dhe të garonte në F1. Jam një trajner klubesh, çdo ditë, 11 muaj në vit, madje 12. Me tri ndeshje në javë: nëse kam ndonjë të mërkurë bosh, jam disi i trishtuar.

Do të jetë Murinjo trajner kombëtareje?

Një ditë besoj se po. Një kënaqësi që më mungon, diçka që dua ta bëj për vete. Por përpara janë klubet dhe do të duhet kohë përpara se të kthehem në Angli ose në Itali.

Kur?

Nuk ngutem. Kam një kontratë prej katër vjetësh me Realin dhe dua të qëndroj gjatë. Te Reali ka shumë punë për të bërë, nuk është vetëm çështje fushash.

Ai rol alla Ferguson që ju pëlqen kaq shumë?

Nuk është e njëjta gjë. Struktura ekonomiko-organizative e Real Madridit është superiore ndaj Mançester Junajtidit, mbase nuk ka fare si kjo strukturë. Por te Reali bëj më shumë sesa bëja tek Interi, futem në zona të tjera të drejtimit sportiv.

Mbase prapë tek Interi ose te Çelsi?

Nuk mund të them se nuk do të kthehem kurrë. Por nuk mund të them se nuk do të shkoj në një skuadër tjetër: jam profesionist. Vetëm diçka: Interi do të ishte gjithnjë i pari. Por…

Por çfarë?

Shpresoj që Interi të mos ketë kurrë nevojë për mua. Do të thotë se ka marrë rrugën e gabuar.

Si do të jetë Inter-Bajern pas finales suaj të Madridit?

Do të më pëlqente të isha në stadium. Kur e shoh Çelsin në tv, pas tre vjetësh e bëj me një emocion të rrënuar, edhe pse janë të njëjtët njerëz dhe të njëjtët lojtarë të kohërave të mia. Me Interin nuk jam në gjendje ta bëj, është ende herët.

Cili ekip do të fitojë?

Tashmë është një ndeshje që ka hyrë në histori. Shpresoj të shikoj një Inter të madh, shpresoj që Roben të jetë gati, shpresoj te spektakli. Asnjë nga skuadrat nuk ka ndryshuar shumë. Praktikisht janë po ato të finales. Dhe dua që të fitojë Inter.

Më vështirë te Real Madridi apo Interi?

Nuk e di, nuk kam kurrë vështirësi: mbase sepse di si të krijoj marrëdhënie me njerëzit dhe me lojtarët. Kur vajta tek Interi gjeta gëzim, buzëqeshje dhe ndonjë problem të vogël, sikundër në çdo familje. Ajo që më mbetej të bëja ishte të mbaja lojtarët e motivuar për të fituar akoma në Itali.

Si bëhet?

Duke shpjeguar se pesë tituj janë më mirë sesa katër, dhe gjashtë më mirë sesa pesë dhe duke u bërë të besojnë se mund t’ia dalin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›