Vllaznia kënaqet edhe me 1 pikë
Jo më larg se 10 ndeshje më parë, Dinamo masakronte Vllazninë 0-4 në “Loro Boriçi”, duke vulosur fatin e trajnerit malazez Radonjiç. Dinamo asokohe kryesonte renditjen, ndërsa Vllaznia luftonte me fundin e tabelës. Por që atëherë situata për të dyja ekipet ka ndryshuar kryekëput. Blutë kanë pasur një ecuri negative, teksa në 10 ndeshjet e luajtura që pas asaj kundër shkodranëve, kanë fituar 3, barazuar 3 dhe humbur 4, duke koleksionuar vetëm 12 pikë në 10 ndeshje, me një mesatare prej 1.2 pikësh për takim, mesatare kjo e denjë për një ekip që nuk pretendon asgjë. Nga ana tjetër, Vllaznia ka pasur një ecuri shumë të mirë, duke fituar 6 ndeshje, barazuar 2 dhe humbur 2, për një total prej 20 pikësh të grumbulluara në 10 takime, me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje. Shifra këto që e fusin Vllazninë në ekipin me rezultatet më të mira në 10 takimet e fundit. Madje, shkodranët kanë statistikat më të mira edhe në 6 ndeshjet e fundit, me 5 fitore dhe 1 barazim, ose 16 pikë nga 18 të mundshmet. Duket pra qartë se Vllaznia ka një ritëm kampioneje në këto javë. Megjithatë, trajneri i Vllaznisë, Mirel Jose, strategu i ndryshimit rrënjësor për tifozërinë shkodrane, nuk kërkon aspak të kalojë në eufori. Për të, takimi i radhës kundër Dinamos është një betejë tejet e vështirë. “Do të luajmë në Tiranë kundër një skuadre që do të kërkojë patjetër të fitojë dhe të rikthehet te pretendimet e saj. Unë e kuptoj që tifozëria shkodrane pret shumë nga Vllaznia, sidomos pas disa rezultateve pozitive radhazi, por, në Tiranë do të isha shumë i kënaqur edhe me një barazim”, ka deklaruar trajneri Josa, por që thellë-thellë e ndjen se Vllaznia e tij mund të synojë maksimumin. Ndërkohë, zëdhënësi për shtyp i skuadrës kuqeblu, Gjergj Kola, informon se shkodranët do të kenë vetëm një mungesë në përballjen kundër Dinamos, qendërmbrojtësin Rajoviç, teksa Belisha do të jetë i disponueshëm, pasi nuk do të jetë i pezulluar, ndryshe nga sa mendohej. Në vend të Rajoviç, trajneri Josa do të aktivizojë të riun Sukja. Siç shpjegon më pas zëdhënësi Kola, synimi i skuadrës shkodrane është të lërë pas Dinamon dhe të shpresojë te një frenim i Tiranës në Laç, një ditë më pas. “Do të kërkojmë të lëmë pas Dinamon dhe një barazim na mjafton për këtë gjë. Por nga ana tjetër duhet të ruhemi edhe kundër Tiranës, që shpresojmë se do të lërë pikë në Laç. Për momentin na intereson vetëm të ruajmë pozitat që kemi”. Gjithashtu, Kola thekson edhe ndryshimin e klimës dhe të ndjenjës së besimit ndaj skuadrës dhe Josës. “Tifozët kanë gjithmonë e më shumë besim te trajneri dhe te skuadra. Ata presin gjëra të mëdha këtë vit. Tifozët kanë qenë ata që kanë shtyrë presidentin Fushaj që të risjellë Josën, sepse kanë një kujtim shumë të mirë prej tij dhe, siç po e shohim, trajneri po ua shpërblen. Besojmë se këtë sezon do të fitojmë diçka të madhe”.
Tifozët, 400 shkodranë drejt “Qemal Stafës”
Tifozët kuqeblu e kanë rritur dozën e besimit në maksimum dhe pritet që sot ata të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Në bashkëpunimin me drejtuesit e klubit, që kanë vendosur në dispozicion të tyre 4 autobusë, pritet që numri i tyre të arrijë rreth 400 vetë, të cilët do të vendosen në një nga tribunat e stadiumit për të mbështetur ekipin e tyre.
Superliga
Java 16
Sot
Dinamo – Vllaznia 13:00
Flamurtari – Teuta 13:00
Skënderbeu – Elbasani 13:00
Nesër
Besa – Shkumbini 13:00
Kastrioti – Bylis 13:00
Laçi –Tirana 13:00
Skuadra N F B H Gol P
1) Flamurtari 15 10 1 4 24-12 31
2) Skënderbeu 15 9 1 5 25-17 28
3) Vllaznia 15 8 3 4 16-14 27
4) Tirana 15 7 4 4 24-15 25
5) Dinamo 15 7 3 5 24-20 24
6) Teuta 15 6 3 6 18-15 21
7) Laçi 15 6 2 7 17-18 20
8) Shkumbini 15 6 2 7 19-21 20
9) Kastrioti 15 4 5 6 16-22 17
10) Bylis 15 4 3 8 18-27 15
11) Besa 15 2 6 7 10-20 12
12) Elbasani 15 3 3 9 17-27 9 (-3)