Mourinho-Chelsea, si në film

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, mund të mos ishte në drejtim të gjigantit spanjoll, nëse do të realizohej dëshira e ish futbollistëve të tij nga Chelsea.
Trajneri i suksesshëm portugez u largua nga Stamford Bridge në rrethana të paqarta, pas njoftimeve për mosmarrëveshje me pronarin e klubit, Roman Abramovich, në shtator 2007. Sipas një libri të ri të publikuar në Spanjë e që mban titullin: “Mourinho: Sekretet e suksesit të tij”, futbollistë kyç të Chelseas u munduan të parandalojnë largimin e portugezit nga posti i menaxherit të gjigantit londinez.
Madje, kapiteni i ekipit, John Terry bëri përpjekje të bind Abramovichin të mos e lejojë largimin e Mourinhos, ndërsa sulmuesi Didier Drogba “qau si fëmijë” kur mësoi se nuk kishte kthim prapa në vendimin e trajnerit për largim. Fragmente nga libri janë cituar në të përditshmen britanike Daily Express dhe përfshijnë deklarata nga futbollistë të tanishëm të Chelseas si Paulo Ferreira.
“Është gjithmonë e komplikuar kur një menaxher largohet nga klubi, por ky rast ishte më tepër se një ndarje e rëndomtë. Jose erdhi në zhveshtore, na mblodhi të gjithëve së bashku dhe na tha se do të largohej. Didier ishte prekur më së tepërmi. Ai filloi të qante si fëmijë”, tha Ferreira.
Drogba shtoi: “Kishte shumë emocione. Dukej e paimagjinueshme, sikur në film. Ne ishim mësuar ta shihnim çdo ditë dhe ishim të papërgatitur për largimin e tij. Ishte një shok i vërtetë”. Terry po ashtu përshkroi si e mori situatën në duart e tij, por në fund kjo doli të jetë përpjekje e pafryt.
“Ne biseduam me klubin dhe i njoftuam qartë se nuk donim që Jose të largohej. Por, ai më herët kishte arritur marrëveshje me klubin”, tha Terry.
Mourinho iu bashkua Interit më 2008 pas largimit nga Chelsea dhe tani është në drejtim të Real Madridit. Në çdo skuadër që udhëhoqi, ai fitoi tituj të rëndësishëm, përfshirë Premierligën e FA Cup me Chelsean, Scudetton dhe Ligën e Kampionëve me Interin si dhe Copa del Rey në sezonin e tij të parë në Santiago Bernabeu.