S’ka kurdisje
UEFA ka njoftuar se nuk ka marrë asnjë informacion për kurdisje të mundshme të fitores së Olympique Lyonit 7-1 ndaj Dinamo Zagrebit të mërkurën mbrëma. Për të përfunduar në pozitën e dytë në Grupin D, Lyon u desh të mposhtë Dinamo Zagrebin dhe Ajax të mundet nga Real Madridi, duke kompensuar golaverazhin prej shtatë golave.
Lyon fitoi 7-1, ndërsa Ajax u mposht 3-0 dhe kështu skuadra franceze siguroi kualifikimin në rrethin e dytë të garës elite të klubeve evropiane. Autoriteti francez për kontrollin e ndeshjeve ARJEL ka thënë se do të vëzhgojë ndeshjen në Zagreb pas sugjerimeve për marrëveshje.
Ajaxit iu anuluan dy gola në mënyrë kontroverse për pozita jashtë loje në Amsterdam Arena dhe trajneri Frank de Boer ka thënë, pas eliminimit të ekipit të tij, se një hetim do të ishte i nevojshëm.
“Nëse kishte diçka të pazakonshme, UEFA duhet të hetojë atë që ndodhi në Zagreb”, tha De Boer. “Asistentët e mi më kanë thënë se golat u shënuan shpejt dhe lehtë, në rrethana normale nuk mund të shënoni aq shumë gola për gjysmë ore. Fati ishte në duart tona dhe ne kishim mundësi për t’u kualifikuar sepse ndeshja jonë ishte mjaft e barabartë. Duhet të shoh xhirimet e përsëritura (të golave të anuluar)”, shtoi ai.
Më herët Lyon kishte publikuar një komunikatë dhe mirëpriti kontrollimin nga ARJEL për shkak të rezultatit të “rrallë”. Edhe Dinamo ka mohuar përfshirjen e saj në çfarëdo marrëveshjeje për kurdisjen e rezultatit, duke i quajtur akuzat “qesharake dhe ofenduese” për klubin. Ndërsa UEFA ka publikuar një komunikatë për të zvogëluar dyshimet rreth kurdisjes eventuale.
“UEFA është e vetëdijshme dhe ka marrë shënime për përcjelljen e ndeshjeve të mbrëmshme dhe dyshimet e ngritura në medie. UEFA po ashtu konsideron integritetin e garave të saj, përfshirë Ligën e Kampionëve, si një prioritet absolut dhe u kushton rëndësi të veçantë të gjitha ndeshjeve. Ne po ashtu zbatojmë një sistem detektues për mashtrim dhe baste të pazakonshme (BFDS) si vegël kundër kurdisjes së ndeshjeve – sistem që monitoron 29 mijë ndeshje në sezon, përfshirë të gjitha përballjet e UEFA-s, dhe merr shënime nga më tepër se 400 kompani të basteve.
“Për momentin ky sistem nuk ka treguar asnjë rast të basteve të pazakonshme për ndeshjet e mbrëmshme ose rezultatin e tyre, që mund të arsyetojnë çfarëdo hetimi rreth kësaj çështjeje”. Kamerat në sfidën Dinamo-Lyon kishin kapur një moment vërtet të dyshimtë. Pas golit të pestë të realizuar nga Gomis, mbrojtësi i Dinamo Zagrebit, Domagoj Vida i afrohet sulmuesit të Lyonit dhe në një moment atij ia bën me sy.
Dyshimet për këtë ndeshje filluan pas ndëshkimit të dyshimtë me karton të kuq të lojtarit të Dinamo Zagrebit, Jerlo Leko në pjesën e parë si dhe pranimit të plot 7 golave për një kohë prej 35 minutash.