Mourinjo ka besim: Po luajtëm mirë, fitojmë
Hulio Sezar, Maikon, Lusio, Samuel, Santon, Kambiaso, Zaneti, Muntari, Shnajder, Pandev dhe Milito. Hoze Mourinjo nuk ka frikë të bëjë publik 11-shen me të cilën do të kërkojë suksesin në “ferrin” e “San Paolos” nesër në mbrëmje. Në këtë mënyrë, Eto dhe Baloteli do ta nisin si rezerva ndeshjen me Napolin.
Portugezi është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që ka kjo përballje me një skuadër që në këtë sezon ka treguar se të paktën në fushën e vet rrallë fal. “E dimë që është një ndeshje e vështirë. Në fakt, më tepër është e vështirë për ta, sesa për ne. Unë nuk firmos kurrë për barazimin”, theksoi numri një i pankinës zikaltër.
Takimin e nesërm do ta drejtojë Roseti: “Është një nga më të mirët në botë, nuk shqetësohem. E dimë që mjedisi në Napoli nuk është i thjeshtë, e dimë se ka presion mbi ne dhe gjyqtarin. Nëse në pankinën tonë bëjmë 10 për qind të asaj që bëjnë te ajo e Napolit, do të përfundojmë të gjithë në dhomat e zhveshjes pas vetëm dhjetë minutash. Nuk e kam problem të jetë Roseti në të gjitha ndeshjet e sezonit. Jo sepse jemi të lumtur me gjykimin e tij kur humbëm me Sampdorian apo vjet po në Napoli kur nxorri me të kuq Maikonin (që më pas nuk luajti kundër Juves), apo në transfertën e Barit. Por ai është më i miri”.