E Diel, 1 Nëntor 2026

Moxhi, leksione edhe për Murinjon Me mua nuk do të bënte skena

Deklarata

“Murinjo ka të drejtë, ‘Calciopoli’ u ndërtua vetëm me fjalë. Tani qajnë të gjithë: edhe De Laurentis, kur i shkon për shtat, fillon të ankohet. Prangat? Nëse unë do të isha në rolin e drejtuesit, Zhoze do të mbante vendin e tij, pa bërë skena dhe budallallëqe, të cilat dëmtojnë vetëm atë”. Këto janë fjalët me të cilat ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, ka komentuar deklaratat më të fundit të trajnerit të Interit. “Personalisht, kam shumë simpati për Murinjon, por kur e tepron, bëhesh antipatik për të gjithë. Gjyqtarët? Klubet e mëdha janë gjithmonë të avantazhuara. Vendimet e arbitrave shkojnë gjithmonë në një drejtim: ky quhet nënshtrim psikologjik. Katër vendet për në Champions janë përcaktuar? Nuk ka dyshime, Juve është më e fortë se Napoli. Gjithsesi, këta të fundit mund të luftojnë për Europa League. Përpara fillimit të kampionatit këmbëngulja se Interi do të fitonte titullin, Milani do të rivalizonte me zikaltërit, ndërsa Roma dhe Juve do të siguronin nga një ‘biletë’ për në Champions. Nuk kisha përmendur Fiorentinën, por deri më tani mendoj se kam pasur të drejtë”, shtoi “Big Luçiano”. Moxhi ka folur edhe për merkaton e futbollistëve dhe për rikthimin e mundshëm të sulmuesit brazilian, Adriano, në Serinë A italiane: “Nëse do të ishte në dorën time, do ta kisha marrë menjëherë në skuadër këtë futbollist. Teknikisht, aftësitë e tij as që nuk mund të vihen në diskutim. Por, nëse në aspektin psikologjik, ai është Adriano që njohim, atëherë do të ishte më mirë të qëndronte në Brazil”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›