Më pozitiv se vjet
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës besojnë se Raporti i Progresit për vitin 2011 do të jetë më pozitiv, falë edhe angazhimit institucional për përmbushjen e shumë sfidave të përmendura në raportin e vitit të kaluar.
Edhe aspekti i miratimit të ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian, sipas drejtuesve të Ministrisë së Integrimeve Europiane është plotësuar mjaft, përderisa njohësit e integrimeve europiane nuk presin këtë vit raport aspak më pozitiv se ai i vitit të kaluar.
Ata vlerësojnë se pika kritike e këtij raporti do të jetë niveli i zbatueshmërisë së ligjeve.
Zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Gëzim Kasapolli konsideron se Qeveria e Kosovës ka bërë të pamundurën që t’i plotësojë të gjitha kërkesat, të cilat paraqiten në Raportin e Progresit.
“Vetëm dua të them që në listën e fundit të dërguar nga Komisioneri Stefan Fule drejtuar Qeverisë së Kosovës është kërkuar miratimi i 21 ligjeve si imperativ për të vazhduar proceset dhe Qeveria ka votuar të gjitha ligjet që kërkohen në letrën e Komisionerit Fule. Por përveç të tjerash, ekziston një paketë e tërë ligjesh, të cilat kërkohen nga Komisioni Europian dhe si të tilla shumica apo pjesa më e madhe e tyre janë tashmë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër pritet të dorëzohet me afat të qartë, domethënë para daljes së Raportit të Progresit”, ka thënë Kasapolli për Kosovapress.
Në anën tjetër, njohësit e integrimeve europiane deri më tani kanë vlerësuar se nuk mund t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës 20 apo më shumë ligje dhe t’i kërkohet që t’i miratojë për një javë, pasi që duhet të ketë një afat kohor për shqyrtimin e atyre ligjeve.
Sidoqoftë, sipas tyre, çështja e miratimit të ligjeve, nuk do të jetë pika kritike në Raportin e Progresit, por shkalla e implementimit të këtyre ligjeve dhe ndërtimit e kapaciteteve efektive administrative, të cilat do të duhej të merreshin me implementimin e këtyre ligjeve.
Në Raportin e Progresit të vitit 2010 është kërkuar miratimi i 49 ligjeve, ndërkohë Qeveria deri tani i ka dorëzuar në Kuvend afër 40.
Zëvendësministri i Integrimeve, Kasapolli beson se deri në ditën e fundit do të miratohen edhe ligjet e tjera të domosdoshme.
“Unë besoj që është ndërtuar një bazë shumë e mirë, rezultatet e të cilave do të shihen në vazhdimësi. Unë besoj që ky është një proces, nuk mund të themi që është vetëm një veprim që me miratimin e ligjeve do të përfundojë një fazë, kështu që të gjitha janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe duhet të kuptohet si një proces. Ka obligime si nga Qeveria, ashtu edhe nga Parlamenti, Presidenca, nga komunat dhe nga shoqëria në përgjithësi dhe duhet të kuptohet si një proces, në të cilin secili duhet të japë inputin e vet dhe besoj se kjo do të vlerësohet edhe në Raportin e Progresit”, është shprehur Kasapolli.
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku në vazhdimësi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i shikojë më me prioritet ligjet që kërkohen nga Raporti i Progresit, e që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e rendit dhe ligjit, përderisa edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ajo ka kërkuar angazhim të Kuvendit që deri në shtator të përfundohen të gjitha ligjet, para afatit kur duhet të jepen inputet e fundit për të pasur një raport sa më pozitiv.
Nga ana tjetër, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim nga 1 gushti deri më 19 gusht, përderisa në mbledhjen e mbajtur javën e kaluar, Kryesia e Kuvendit, e përbërë vetëm nga tre nënkryetarë, ka caktuar një seancë më 23 gusht me projektligje dhe kërkesa të ndryshme dhe një tjetër më 29 gusht, në të cilën pritet të miratohen edhe 13 projektligje të tjera të kërkuara nga Raporti i Progresit.