E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mrekulli e Interit në "kështjellën" e çelsit

LONDER-Interi ka kaluar në çerekfinale të Champions League, pas triumfit 1-0 në "Stemford Brixh" kundër çelsit. Një mbrëmje e madhe për skuadrën zikaltër, që pavarësisht trofeve në Itali, prej vitesh kishte treguar dobësi në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. Një gol i Samuel Eto 12 minuta para përfundimit i ka dhënë kualifikimin Interit, që mbrëmë ka treguar si rrallëherë një forcë të jashtëzakonshme në Champions. Pas golit të realizuar në Milano, çelsi e niste si favorit sfidën e mbrëmshme, por skuadra e Ançelotit nuk ka qenë në nivelin që pritej dhe kjo edhe për meritë të Zhoze Murinjos. Duket e pabesueshme, por trajneri portugez, një idhull në "Stemford Brixh", e ka nisur takimin e mbrëmshëm me tre sulmues të mirëfilltë: Eto, Milito e Pandev, të ndihmuar nga Uesli Shnajder. Një formacion i frikshëm i Interit, që ka treguar që në fillim se nuk e ka frikë çelsin. Megjithatë, të dyja skuadrat kanë patur shansin e tyre për të kaluar më tej. çelsi krijoi disa mundësi të mira në fundin e pjesës së parë, por mbrojtja e vendosur nga Murinjo dhe e udhëhequr nga dyshja Samuel-Lusio, ka treguar siguri në çdo moment. Ndryshe nga sezonet e shkuara, nata e mbrëmshme ka sjellë lumturi në radhët e tifozerisë zikaltër, e mësuar të eliminohet shumë shpejt nga Evropa. "Ole-të" e fansave të Interit në fundin e takimit kanë qenë mirënjohja më e madhe për skuadrën e ndërtuar nga Morati e sidomos, për trajnerin Zhoze Murinjo, që edhe mbrëmë tregoi se mbetet një strateg i kompeticioneve më të rëndësishme të kontinentit.
Pjesa e parë
Ndeshja në "Stemford Brixh" ka nisur me duartrokitjet e tifozëve të çelsit për njeriun që shkroi historinë më të lavdishme të këtij klubi, portugezin Zhoze Murinjo. I ulur vetëm pak metra përpara tifozëve të zjarrtë të kësaj skuadre, portugezi i ka patur idetë të qarta në lidhje me çfarë kërkonte nga skuadra e tij. Një gjë e tillë duket që në start, kur Interi nuk ka aspak frikë dhe tenton të gjejë portën e Ros Trënbull, portieri i tretë i skuadrës londineze. Një kros i Shnajder nga goditja e dënimit nuk shfrytëzohet mirë nga Milito, ndërsa Maikon ka një rast të mirë, por gjuajtja e tij është shumë larg portës së vendasve. Pjesa e parë është një makth më vete për Interin. Në fillim është Drogba që pretendon për një penallti, por arbitri gjerman Stark lejon vazhdimin e lojës. Më pas, Nikolas Anelka tenton me një gjysmë kthesë, por edhe pse mposht Zhulio Sezar, është Tiago Mota ai që largon. Pjesa e parë mbyllet me një ndërhyrje vendimtare të Samuel ndaj Lampard, që arbitri sërish e konsideron të rregullt.
Pjesa e dytë
Në fraksionin e dytë, loja hyn disi në ritme më të qeta, por çelsi natyrisht mbetet më i rrezikshëm sidomos me inkursionet e Florent Maluda nga e majta. Drogba për pak befason mbrojtjen e Interit, kur pas një goditje dënimi kroson për Balak, megjithatë ky i fundit nuk arrin. Më pas është Interi që merr frenat e lojës në dorë, kjo edhe falë futjes në lojë të Dejan Stankoviç që zëvendëson Goran Pandev. Nga një goditje dënimi, Uesli Shnajder kroson bukur për Tiago Motën, por ky i fundit godet lart vetëm me portierin Trënbull. Në minutën e 78-të, sërish një asist i Shnajder gjen të lirë Samuel Eto, që pasi kontrollon topin bukur, arrin të mposhtë Trënbull me një të djathtë "vrasëse". Praktikisht këtu ndeshja është e mbaruar, megjithatë ka kohë edhe për një karton të kuq të Didier Drogba që reagon keq ndaj Tiago Motës në zonë. Në çastet finale Interi ka një shans tjetër, por goditja e Eto devijohet nga portieri. Kaq ka mjaftuar për këtë supersfidë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›