E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Kosovës, Sejdiu vizitë zyrtare në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka nisur vizitën e tij zyrtare në Bruksel, ku do të ketë disa takime të rëndësishme. Më 17 mars, Presidenti Sejdiu do t'i drejtohet Këshillit të NATO-s ku do të flasë për progresin e arritur dhe gjendjen aktuale politike e të sigurisë në Kosovë. Para nisjes për në Bruksel, Presidenti Sejdiu tha se do ta informoi Këshillin e NATO-s me zhvillimet e përgjithshme që kemi pasur, do të shprehë falënderimet e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për angazhimet që KFOR-i dhe NATO-ja kanë dhënë në Kosovë si dhe për përkushtimin e tyre për ecjen e mëtejshme.

“Do ta njoftoj Këshillin e NATO-s, për opinionet e institucioneve të Kosovës lidhur me zhvillimet politike, veprimet e bëra deri më tash, synimet për ecjen e mëtejshme, në kuptimin e realizimit të projektit që Kosova të lëvizë fuqishëm në zhvillimet e sajë të brendshme ekonomike, demokratike dhe zhvillime të tjera, si dhe për rolin e saj që të jetë faktor i rëndësishme i të paqes dhe të stabilitetit”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu me këtë rast tha se do ta përsërisë kërkesën e tij të mëhershme, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe admiralit Fitzgerald, që Kosova, qoftë edhe simbolikisht, të jetë prezente në operacionet paqësore të NATO-s, në mjediset ku ata janë. Përkundër vështirësive objektive të kohës, Presidenti tha se besonte që do të mund të bëhen lëvizje të mira në këtë drejtim.

I pyetur për raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, pas debateve të fundit, Presidenti Sejdiu sqaroi: “Ato janë sekuenca të cilat janë tejkaluar në mënyrën më të mirë, pas bisedave intensive me komandantin e KFOR-it Bentler, dhe se është interes reciprok që të kemi bashkëpunim sa më të ngjeshur, sepse edhe vet misioni i KFOR-it në Kosovë është paqja, ecja dhe zhvillimi i Kosovës”. Gjatë kësaj vizite, Presidentin Sejdiu do ta shoqërojë Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›