"Mrekullitë njeriu i ndërton vetë, me vendosmërinë e tij
Deklarata e bërë nga ana e Greqisë për problemin çam ishte e pritshme. Jo pak herë ne jemi gjendur përballë rasteve të tilla e kjo jo veç për faktin se fqinjët e kanë parë veten përherë inferiorë karshi nesh, por edhe pse politika jonë e të dy krahëve ka luajtur përherë të njëjtën melodi, atë të vasalitetit. Kjo gjë ka kushtëzuar të gjitha veprimet tona e rrjedhoja të këtilla janë mëse të pritshme.
Shqipëria në bisedimet me palën greke, u tregua e mefshtë sepse nuk përfshiu medoemos ngritjen me forcë dhe shtrirjen në tavolinë të problemit çam, e ajo çka është me e keqja, ajo nuk kërkoi as ngritjen e përmendoreve në vendet ku shovinistët grekë kryen masakrat mbi popullsinë e pambrojtur. Respekti për të vdekurit është dhe duhet të jetë reciprok, pavarësisht kombësisë, por duket që kjo gjë nuk i vjen për shtat Greqisë, e cila luan me parimin merr e mos jep.
Si ka mundësi që për kërkesa kaq legjitime të tregohemi kaq të vobektë, si ka mundësi që së paku një herë nuk i treguam dhëmbët tona, edhe pse ato mund të jenë dhëmbë lepuri. Çfarë pret shteti ynë?! Çështja çame ka ekzistuar dhe do ekzistojë pavarësisht politikave naive tona e pavarësisht synimeve të shtetit grek, i cili luan me Shqipërinë si macja me miun.
Nuk mund të rrimë kaq pasivë, edhe përpos numrit të madh të emigrantëve tanë që rrinë atje, sepse të jemi të sigurt, atyre askush nuk ua jep bukën falas. Tashmë duket se jemi mësuar me rrahjet, poshtërimet dhe urrejtjet dhe ksenofobizmat greke. "Miqësitë e shkëlqyera" siç trumbetohen kaq me të madhe ndërtohen mbi baza të respektit reciprok, ndaj kërkesat për një respekt të tillë duhet të thuhen me zë të lartë e pa ngurruar aspak. Nuk duhet të rrimë me sytë nga qielli se mos zoti bën ndonjë mrekulli. Mrekullitë njeriu i ndërton vetë me dëshirat, përpjekjet dhe vendosshmërinë e tij.
Në këtë kohë, ku çështja kosovare është futur në një udhë pa krye, në këtë kohë ku partitë e vogla po turren të shqyejnë felen e radhës, në këtë kohe ku PS - ia është e çoroditur nga afrimi i zgjedhjeve e nga mospasja e unitetit brenda radhëve, e kur brenda PD - se ministrat janë të orientuar kah çështjet e tyre me gjykatat, u duk edhe momenti i favorshëm për Greqinë. Si përherë punët tona kanë dalë sheshit e grekërit si dinakë që janë, se harrojnë fort kollaj thënien: "në ujë të turbullt gjuhet shumë peshk".