Urim-qortimi i përsijatësit Withers
Mesazhi i urimit që ambasadori Withers u drejtoi gjithë shqiptarëve me rastin e Festës së Pavarësisë, është shumëplanësh. Në të ai synon, në anën më të dukshme, të përforcojë idealet e demokracisë dhe lirisë dhe lidhjet shqiptaro-amerikane, por, në një vështrim më nën- e ndërtekstual, edhe ti heqë veshin kujtdo që nuk di të mbrojë si duhet lirinë dhe pavarësinë e vet. E gjitha kjo, me sy e mendje kujdesshëm në imazhin dhe interesat e tij si individ e profesionist.
Në dukje i thjeshtë e pa pretendime që të tingëllojë tejet i kultivuar, Withers rikonfirmon për shqiptarët jo vetëm pozicionimin miqësor e mbrojtës të Amerikës ndaj tyre, por edhe atë personal: një Withers meditadiv e sentimental ndaj historisë, njerëzve dhe çështjes shqiptare. Ai kërkon të rinisë një fazë të re, më pozitive, të lidhjeve me Shqipërinë (dhe nuk është hera e parë që e ngulmon këtë në historinë e tij gati dy-vjeçare): çdo dyshim i së shkuarës, llaf i hedhur pa dashje a me qëllim që aludonte për korrupsion ose paligjshmëri, hezitime politike, gërvishtje personale apo partiake, duhet të konsiderohen të së kaluarës për aq sa të pabaza. Le të nisim me një vështrim të ri e një dorëzgjatje të re ndaj njëri-tjetrit! Në fakt, elementi “i vështrimit drejt horizontit” dhe jo në llumin që na rrethon, “i asaj diçkaje të largët” dhe jo vogëlsie meskine dhe të afërt, “tutje masës që është poshtë” e drejt largpamësisë karakteristike për mendjet e mëdha, nuk është vetëm tema që figurshëm lidh sytë e Qemal Bej Vlorës në foton nga ballkoni i famshëm, me ato të presidentit amerikan Wilson. Është edhe porosi e vetë ambasadorit për orientimin e politikës shqiptare në një kuptim ideologjik e filozofik, si dhe orientimin ndaj tij personalisht.
Në rolin dhe vështrimin e veçantë të Withersit ndaj njerëzve të shquar, shfaqet në meditimin e tij një ideal aktiv, por jo i njëtrajtshëm i ambasadorit: ashtu si më lart, ai veneron mendjen e shquar të individit, mishëruar në “heronjtë e mëdhenj të së shkuarës”, por nuk do të shpërfillë masën, së cilës në fakt i drejton fjalët e veta. Historia dhe qeverisja nuk janë “pronë e elitave”, por e “popullit të tërë” dhe e vullnetit të tij të lirë, thotë ai në letër, në dukje kundërshtueshëm me sa mbrojti më sipër. Ndërsa askush nuk dëshiron të konsiderohet “elitist”, të gjithë adhurojnë njohjen dhe parashikueshmërinë e “individit të ditur”, e prijësit që guxon të thotë si duhet në një ditë të keqe: “Po. Ne mundemi!”.
Vetë forma që ka zgjedhur t’i japë letrës së tij, është një tjetër tregues i sensit të tij politik: “përsiatje”, pra ai i mëshon një lidhjeje të drejtpërdrejtë dhe personale me lexuesin, një lidhje e paqëllimshme, që i lejon të jetë poetik dhe emocional, pra çliron zërin e tij të brendshëm dhe në dukje injoron atë zyrtar e formal. Ky zë nuk vjen nga diplomati apo ambasadori, por nga “një amerikan” i çfarëdoshëm, siç thuhet në titull. Pra ky është zëri i Amerikës së vërtetë ndaj Shqipërisë së vërtetë, jo një zë burokratik dhe i rremë që bëhet edhe më dy-fytyrësh në veshjen e diplomatit. Withers i drejtohet asaj pjese të psikologjisë kombtare të shqiptarëve dhe ballkansve në përgjithësi, që fetishizon marrëdhënien joformale, direkte e të pashtirur, si më e besueshmja dhe e dëshirueshmja. Gjithashtu në një formë më demokratike që afirmon diplomatin e ri, jo pedant e konservator si diplomacia tradicionale e Evropës së vjetër që desh e la Shqipërinë pa shtet e pa pavarësi, ai ia drejton këtë letër të hapur gjithë mediave shqiptare, pra gjithë publikut shqiptar. Ai rishtaz shfaqet se kërkon të lidhet me të pa gjurmë dyshimi, duke e parë në sy njëri-tjetrin, me besim të lindur rishtaz sot, por mbi baza të hershme e të pakundërshtueshme.
Withers tregon njohje të mirë të historisë dhe psikologjisë sonë kombtare edhe në aspekte të tjera në letrën e tij. Në thellësi të shpirtit tonë prej kombi të vogël, historikisht të papërfillur e shpesh të shkelur me këmbë, ne digjemi që “të mëdhenjtë” të na quajnë “të veçantë” e miq. Edhe sikur nesër ta paguajmë me pasoja të hidhura veçantinë, dëshirojmë ta kemi së paku sot për sot. Withers na e përkëdhel këtë anë të sedrës së keqtrajtuar kombtare. Hollësi lidhur me pasaktësitë e shpalljes së Pavarësisë, përmendja e Marigosë, citimi i mbështetjes kategorike dhe emocionale që Wilsoni u bën shqiptarëve para Konferencës së Paqes në Paris, dëshmojnë këtë begenisje e përkushtim të mençur të Withersit. Krijimi i imazhit të një bote dy-kampëshe në kohën e pavarësisë ku Withers ndan me shqiptarët të njëjtat epitete pozitive për ta, si “fisnik”, “luftëtar lirie” “kurajoz”, e “trim”, dhe të kundërta “për trupat e huaja që sulmonin nga çdo anë” e në “rrethana të kobshme”, dëshmojnë dëshirën e tij për t’u identifikuar e qenë, së paku në dukje, krah çështjes e vetëdijës shqiptare. Por unë nuk do çuditesha që kështu Withers të shprehë edhe një anë të vërtetë të karakterit të tij: besimin se historia jonë ka qenë e sertë, dëshirën për të pasur lidhje miqësore me njerëzit me të cilët punon, natyrën e tij thellësisht jo-mizantropike dhe me ndjeshmëri njerëzore, pa zënë ngoje namin e vjetër të gjithë amerikanëve që, në luftën mes dy forcave, t’i dalin krah më të dobëtit.
Ka një tjetër temë në letrën e Withers që ndoshta qeveria kosovare duhet ta analizonte ca më veshngritur se ajo shqiptare. Citimi i Wilsonit (e që “miqësisht” prek edhe pjesën më të keqe që kemi) që mund të flemë kur ndihemi mirë, të neglizhojmë Pavarësinë (apo lirinë e demokracinë në rastin e Shqipërisë) kur shohim që “i forti” na del krah, nuk është i rastësishëm.
Kosovarët, pas katër muajsh, u zgjuan nga goditjet e gëzuara të çunakut të ngazëllyer por të papërtuar e militant, Jeremiç, në portën e tyre veriore: Tak-tak, ju çon fjalë kuvendi ta shtyni ca më në Jug gardhin që na ndan pronat! Përmendja nga Withers e “idealeve Wilsoniane” siç janë përkrahja e luftës së popujve të vegjël e mbështetur mbi të drejtën morale për vetëvendosje, si dhe e besimit se paqja vjen nëse kombe të reja e funksionale lindin mbi bazën e kombësive brenda “perandorive të vdekura”, dhe sidomos e “planit të tij me 14 pika si garanci ndërkombëtare për integritetin tokësor dhe pavarësinë ekonomike e politike të shteteve ballkanike”, evokojnë dukshëm situatën e kundërt sot: atë të aprovimit në UN të planit 6-pikësh serb që kapi gafil qeverinë e Kosovës, sido që pozon si nën kontroll. Sikur kjo të mos mjaftonte, duke marrë shkas nga I. Qemali, Withers e përforcon mesazhin e tij se “liria nuk duhet të jetë një ngjarje e veçuar që vjen njëherë e pastaj lihet pas dore, por përkundrazi, një vazhdimësi përpjekjesh, vigjilence dhe lufte”.
Cili është personazhi kryesor i shkrimit? Nga një vështrim sipërfaqësor, është I. Qemali (ose Pavarësia vetë) për të cilin letra derdh respekt dhe admirim të çmuar. Të tjerë karaktere që shfaqen janë Wilson, një nga presidentët më të shquar, revolucionarë e të kulturuar të Amerikës, e nga themeluesit e filozofisë së krijimit të Kombeve të Bashkuara. Lehtaz del edhe Noli. Shpesh në letër i bëhen elozhe popullit shqiptar. Por të mos harrojmë se emri “përsiatje”, ndonëse sfumon pak rëndësinë e shkrimit, sjell në fakt në plan të parë si karakter themelor të tij, vetë autorin. Withers është personazhi kryesor i këtij shkrimi, ai dhe mendimet e ndjenjat e tij, me dëshirën që t’i shfaqet sinqerisht shqiptarëve. Kjo është nga format më efikase të të bërit PR në botën e sotme. Imazhi i tij është synimi themelor, një imazh që paraqitet ndryshe nga diplomatët e mëparshëm amerikanë apo nga diplomatët e tanishëm të pjesës tjetër të botës, mik i ngushtë dhe pa dorashka i gjithë shqiptarëve. Nën shembullin e Qemalit dhe Wilsonit, ai nuk vjen me një imazh “mitik”, por një imazh “prej një burri prej mishi e gjaku” që sheh qortueshëm jo veç tjetrin, por edhe veten.
Withers mund të jetë vërtet kështu.Por për tani, unë do isha e kënaqur edhe vetëm me rikonfirmimin nga ana e tij të dëshirës së mirë. Dita e Pavarësisë si dhe forma intime e të shkruarit të kësaj letre, janë shkasi e rasti, si dhe mënyra më e mirë për një akt si ky. Ai mund të lexohet edhe si “një shenjë, një sinjal, ndoshta një ogur në horizontin e pasigurt të së ardhmes” së bashkësisë kombtare e politike shqiptare, firmosur “nga një vizitor prej shumë larg”.
*Pedagoge në Universitetin e Ilinois për Shkencat e Komunikimit. Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal:“Urim-qortimi i ëmbël i përsijatësit diplomatik Withers. Analizë e tekstit “Përsiatjet e një amerikani mbi ditën e Pavarësisë së Shqipërisë” të ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers”