Kujtimi i Ymer Beqirit në dy libra postum
Miq dhe kolegë u mblodhën dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në një përshpirtje modeste për gazetarin Ymer Beqiri. Këtë përvjetor, të afërmit e përkujtuan me paraqitjen e dy librave të tij, studimin “Përse shkruan Migjeni” dhe përmbledhjen me tregime “Tantali”. Këto punë i përkasin dy periudhave të ndryshme të jetës së tij. “Përse shkruan Migjeni” është monografia me të cilën Ymeri mbrojti diplomën në vitin 1997 për Gjuhë Letërsi, në Universitetin e Tiranës. Ndërsa përmbledhja me tregime “Tantali” i përket një kohe më të hershme, asaj të maturës. Në këtë ceremoni përkujtimore profesori që e udhëhoqi në këtë studim Koçi Petriti e krahasoi konceptinfilozofik të Ymer Beqirit më atë të Sartrit dhe të Kamysë. Madje ai i cilësoi shkrimet si traktate te vërteta filozofike, duke shtuar se Beqiri është një zë individual në letërsinë e re shqiptare. Kontributi i Ymer Beqirit nuk ishte vetëm në botën e letrave. Në vitin 1997 ai filloi punën si gazetar pranë Televizionit Publik Shqiptar, ku falë këmbënguljes dhe kulturës së gjerë që kishte shumë shpejt u radhit ndër gazetarët më të spikatur.
Ymer Beqiri u lind në Tiranë më 30 nëntor 1973. Në vitin 1991 përfundoi shkollën e mesme “Qemal Stafa” dhe ma pas vijoi studimet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në degën Gjuhë-Letërsi. Beqiri u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 34-vjeçare, nëntorin e kaluar.