Një koleksion për pavarësinë
Dita e Pavarësisë është kujtuar me fare pak aktivitete në Tiranë. Ansambli me këngë e valle, Edi Rama hapi dyert e bashkisë për vizita dhe... kaq. Një varfëri që gati të bën të besosh se historia refuzohet të kujtohet. Ndër të paktat gjëra që ka ofruar kryeqyteti në këtë ditë është ekspozita “Shqiptarët në shekuj” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një koleksion gravurash të viteve 1482-1932 sjellë nga dy të pasionuar pas antikuariatit, shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Fotaq Andrea dhe Dritan Muka i kanë gjurmuar dhe mbledhur këto dëshmi në gjithë botën dhe ua kanë servirur bashkëkombasve ditën e Pavarësisë deri më 6 dhjetor.
Janë 110 ilustrime, kryesisht litografi bardhë e zi, për të cilat është shkruar pafundësisht por tani mund të preken nga afër. Autorë të huaj të tërhequr nga natyra dhe karakteri i vendasve, kanë udhëtuar në viset shqiptare dhe kanë dokumentuar gjithçka që u ka bërë përshtypje, portrete (sidomos ato femërore), veshje, armë, zakone, dasma, gëzime etj.
Koleksionisti Fotaq Andrea rrëfen se fillesa e gjithë kësaj aventure qëndron në dëshirën për zbulimin e vlerave historike shqiptare kudo që gjendeshin nëpër botë. Më tej ai tregon për zbulimin në bibliotekën e Skënderbeut të libri të tretë të Petrarkës, “Laura”. Një nga kodikët e rrallë të kohës që mendohet se i përket vitit 1451. Koleksionisti pohon se ky libër është porositur nga Mbreti Alfons i Napolit si dhuratë për Skënderbeun, por që fatkeqësisht nuk është pjesë e ekspozitës. Gjithashtu ai tregon se bashkë me kolegun e tij, Dritan Muka, kanë filluar kërkimet për gjetjen e Librit të Uratave të Skënderbeut. Një botim unik me ngjyra që mendohet se gjendet në Londër.
Por edhe ekspozitës “Shqiptarët në shekuj”, nuk i mungojnë dokumentet dhe skicat e hershme.
Vepra më e vjetër që ekspozohet për herë të parë i përket vitit 1482 , ndërsa më e vona vitit 1932.
Në këtë hark kohor janë përfshirë skicimet e anijeve karakteristike të ilirëve, ato liburne, pastaj vjen e fiksuar në to periudha e Skënderbeut, e quajtur “Skënderbejada”. Më pas vijon historikisht periudha e rezistencës shqiptare, përgatitjet për Lidhjen e Prizrenit, kryengritjet e armatosura deri në shpalljen e pavarësisë. Nuk mungojnë as skica hartash që tregojnë për ndryshimet e herëpashershme të kufijve të Shqipërisë. Autorët e tyre kanë paraqitur në mënyrë shumë reale edhe kalatë dhe sekuenca nga betejat në to. Këto ilustrime janë si një dokumentar i gjithanshëm, që paraqet detaje të jetës së shqiptarit.
Janë shumë domethënëse skicat që paraqesin momente nga jeta në kalanë e Shkodrës, në shekullin e 18 apo momente nga horoskopi i balonave. Nuk mungojnë portretizimet e femrave shqiptare si Mbretëresha Teutë, Janica që konsiderohet si Zhan d’Arka shqiptare, Haideja, vajza e hamendësuar e Ali Pashë Tepelenës dhe shumë të tjera. Po ashtu edhe femra shqiptare që jetonte jashtë vendit nuk është harruar. Në gravurën “Shqiptarja dhe zonja holandeze” të Adele Anais Colin Toudurze, e vitit 1844 është shumë e vështirë të dallosh se kush është holandezja dhe kush shqiptarja. Të dyja janë veshur me shumë elegancë. Pothuajse në të gjitha skicat vërehet një element i veshjes tradicionale që ka mbetur i pandryshuar për shekuj, fustanella. Një detaj që është paraqitur më së miri në tablonë “Dasma Shqiptare”, të realizuar nga Albert Kretschmer në vitin 1871. Koleksionisti shpjegon se kjo skicë është zgjedhur për të përfaqësuar ekspozitën pikërisht prej paraqitjes së fustanellës. Simbol jo vetëm i toskërisë por edhe i gegërisë, një element pra që tregon një Shqipëri të unifikuar.
Skicat që janë paraqitur në “Shqiptarët në shekuj”, kanë për autorë emra të njohur të kohës, piktorë si Fritel, Zherom, Valerio, A. Deveria, M. De Vito, Uiliams etj.