E Shtunë, 31 Tetor 2026

Márquez: Ka “vdekur” gazetaria

Shkrimtari i madh Gabriel García Márquez, ka kritikuar gazetarinë e dobët, që po bëjnë reporterët. Në një intervistë për të përditshmen spanjolle "El Pais", fituesi i çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1982, thotë se “gjithnjë e më shumë po vuan cilësinë e dobët të gazetarisë së shkruar" dhe se, “tani është gjë e rrallë të gjesh një reportazh të shkruar profesionalisht ".

"Gazetaria është dhunti që jo gjithkush e ka ", shpjegoi shkrimtari gjatë Seminarit të VI-të Ndërkombëtar mbi gazetarinë zhvilluar në Monterrey (Meksikë) dhe ku merrnin pjesë gazetarë nga Amerika Latine, Evropa dhe SHBA.

Autori i "Njëqind Vjet vetmi" , "Dashuria në kohërat e kolerës", u shpreh se gazetaria e sotme e bënte gjithnjë e më depresiv, sepse siç theksoi ai, "gazetarët nuk mund të mendojnë më mirë se sa shkruajnë" .

García Márquez tha se, gazetarinë e kishte në shpirt dhe se ai është profesioni më i bukur. "Nuk ka profesion më të bukur në botë se sa gazetaria ", pohoi Márquez, i cili veç kësaj shpjegoi se ndihej keq kur lexonte gazetat dhe cilësinë që ofrojnë ato.

Ky shkrimtar ka marrë një sërë çmimesh, si Rómulo Gallegos (1972), Çmimin Jorge Dimitrov për Paqen (1979); Çmimin Nobel në Letërsi (1982). Ai vuri në dukje se media nuk i jepte më kohën e mjaftueshme gazetarëve.

"E pranoj se tani gazetat duhet të konkurrojnë radion dhe televizionin por shtypi i shkruar ka një hapësirë më të madhe se media elektronike", tha ai.

"E shkruara del nga shpirti , mjetet e tjera janë aparate, janë makina ", tha shkrimtari kolumbian.

García Márquez, përfaqësuesi i realizmit magjik, cilësoi se tani gjen shumë pak reportazhe apo shënime që mund ti konsideronte "perla", apo që kur i lexon të bëjnë të thuash , "cili do të jetë ky që e ka shkruar...? ".

"Përpara gazetaria ishte më e vështirë. Nuk kishte kaq shumë makineri dhe kjo të bënte të mendoje më shumë", pohoi autori i shumë veprave letrare me famë botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›