E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muaj mjalti nëpër Evropë?! PO!

Neraida Sula

Pasi dasma mbaron dhe me dashamirësi por edhe pak lodhje ke përcjellë edhe të ftuarit e fundit mbyll derën dhe mendon Koha për muajin e mjaltit! Është padyshim dhurata më e paharruar që mund të marrësh për martesë, një muaj mjalti i cili si për ironi të emërtimit rrallë zgjat një muaj të tërë. Mund të jenë 5 ditë, një javë a ndofta edhe më shumë, mëse të mjaftueshme për të kaluar pak kohë të kënaqshme me dhe pranë njëri-tjetrit. Muajt e mjaltit variojnë sipas dëshirave dhe kërkesave, që nga ata tipikë romantikë buzë detit në ndonjë resort e deri tek ata pak më aventurierë me safari, ski, Disney Land, Aqua Park etj. Gjithsesi kriteret bazë mbeten preferencat e përbashkëta në çift dhe shpenzimet.
Meqë martesa sikurse dhe dasma hyjnë tek planet afatgjata, ne ju këshillojmë 5 vendet më të parapëlyqera nëpër Evropë për muaj mjalti.
Ju rrethoni me stilolaps të kuq (ose buzëkuq) përzgjedhjen tuaj dhe nisni planifikimin e udhëtimit që tani!

Parisi
Thoni oui për Parisin! Qyteti më romantik në botë nuk plaket kurrë.
Shumë mund të thonë se tashmë Parisi është kthyer në një klishe, se qyteti i të dashuruarëve më shumë komercializohet si i tillë sesa është vërtetë. Por kush ka qenë në Paris mund të pohojë lehtësisht të kundërtën. Parisi është dhe mbetet një nga qytetet më romantikë në të gjithë Evropën. Atmosfera e tij dhe fryma që vesh qytetin të bën të ndjesh sikur këtu Shën Valentini festohet çdo ditë, pasi kudo, në çdo cep, do të gjeni çifte gati për të festuar dashurinë e tyre në qytetin e dritave. Përse të mos jeni dhe ju njëri prej tyre?! Mjafton vetëm, një ngjitje në majën e kullës Ejfel, të hidhni shikimin mbi qytet dhe të ndiheni sikur bashke mund të arrini gjithçka!

Mjafton vetëm,një ngjitje në majën e kullës Ejfel, të hidhni shikimin mbi qytet dhe të ndiheni sikur bashkë mund të arrini gjithçka! Mos humbisni shëtitjen përgjatë Senës për të marrë pamjet më mbresëlënëse të qytetit duke nisuar që nga kafentë e vogla me tavolina sa për dy vetë, Basilika e Sacre-Coeur, dyqanet për shopping marramendas dhe jashtëzakonisht të shtrenjtë në Champs Elysees, Mona Lisën në Muzeun e Luvrit apo Operan e Parisit. Këto janë vetëm disa nga gjërat të cilat në mënyrë absolute shijohen në çift!

Venecia

Përtej çdo imagjinate, Venecia të mahnit me panoramën përrallore, me arkitekturën unike dhe një histori e kulturë jashtëzakonisht të pasur. Jo rastësisht Venecia është vendi ku të paktën një herë në jetë ndalet çdo çift i dashuruar, varësisht moshës dhe lidhjes. Nëse vizitohet për muaj mjalti, atëherë qyteti duket sikur e shton magjinë e udhëtimit pa bërë ndonjë sforco të madhe. Majfton vetëm një shëtitje me gondola në labirinthet e 150 kanaleve të Serenissima-s italiane. Lutuni që gondolieri të jetë pak i intonuar pasi shumica e tyre e shoqëron udhëtimin me këngë, ndonjëherë edhe me pjesë të njohura nga ndonjë opera. Pas gondolës mos i kurseni vetes një shëtitje nëpër rrugët e ngushta të qytetit prej 177 ishujsh, ndaloni në një prej mijëra restoranteve të vegjël e të mirë, dehuni nga pamja e Canale Grande parë nga ura Ponte di Rialto dhe, kuptohet, mos u largoni nga Venecia pa kaluar në Piazza San Marco. Duke qenë një qytet i shtrenjtë por edhe i vogël, këshillojmë që hotelin ta merrni në periferi. Kushtojnë më lirë dhe janë vetëm 20 min larg qendrës.

Londra

Qyteti i elegances, novacioneve, kreativitetit, qyteti mbretëror, Londra nuk njeh kurrë pushim. Ajo është zgjedhja kryesore për turistët e dashuruar, aq më tepër kur të jep mundësinë e një komunikimi të lehtë… në anglisht. Nëqoftëse shkoni në këtë stinë, përpiquni të shihni patjetër një shfaqje shekspiriane në ambient të hapur, pikërisht në Globe Theater të Shekspirit. Më pas mund të bëni një shëtitje të qetë e romantike në bangot anash Tamizit, derisa të gjeni një stol me pamje të hatashme, dhe, në daç besoni në daç jo, nuk do të jetë shumë e vështirë.
Me variacionet e shumta të muzeumeve, teatrove, klubeve, pabeve Angleze dhe restoranteve, çiftet do të kenë një larmi të pahasur më parë për aktivitete interesante të përditëshme. Dhe, ndërsa jeni në Londër, duhet që absolutisht të vizitoni Buckingham Palace, kullën Tower of London, Big Benin, Shtëpinë e Parlamentit dhe Katedralen e Sh. Palit.

Vjena

Nëse doni të ndjeni se si ka qenë Evropa e vërtetë në periudhën e asaj të artë, atëherë padyshim zgjedhja e vetme në këtë rast është Vjena, dhe mos mendoni se qyteti nuk është romantik është më shumë se aq duke e bërë vërtetë ideal për një muaj mjalti. Rrugët dhe arkitekura e qytetit të ftojnë në shëtitje të gjata po ashtu sikurse edhe kopshtet magjepsësë të Schönbrunn Palace. Gjatë mbëmjes sheshi para bashkisë së qytetit dhuron një pamje fantastike me ndriçimin mahnitës që ka. Nëse e planikfikinoni udhëtimin në Vjenë gjatë Krishtlindjeve, ju sigurojmë se nuk do të donit t’i festonit më në asnjë qytet tjetër. Mos u largoni nga Vjena pa provuar shnicelin e vërtetë vjenez dhe pa u ëmbëlsuar me çokollatat e famshme Moxart Kugeln. E meqë Vjena është shtëpia e kompozitorit të famshëm, mund ti dhuroni vetes një koncert nga Filarmonia famoze e Vjenës.

Praga

20 vitet e fundit, Praga është bërë vendi më i kërkuar ndër destinacionet turistike evropiane dhe me të drejtë. Qendra e shtrirë historike është një nga vendet më mahnitëse në Evropë, dhe ofron gjithçka, duke filluar që nga aktivitetet kulturore te arkitektura, nga eksperiencat e mrekullueshme gastronomike tek stolat buzë lumit. Me sahatin e vet astronomik të lashtë 600 vjeçar, çdo gjë për Pragën është dramatike dhe intensive, deri dhe një vizitë në Kështjellën e mrekullueshme të Pragës, do t’ju marrë një ditë të tërë. Nëse jeni qejfli ecjeje, duhet të ndalosh në urën Charles Bridge e të përjetosh një hap kthimi prapa në kohë, larg botës moderne, larg ritmit frenetik të sotëm në një ëndërrim magjik.

Muaj mjalti në vjeshtë?! Shkoni në Tenerife!

Kush tha që nuk ia vlen të bësh muajin e mjaltit në shtator apo tetor?! Ishujt Kanarie të Spanjës janë parajsa në tokë e pushimeve përrallore dhe jashtëzakonisht romantike buzë detit. Duke qëne se klima e favroshme i bën të vizitueshme edhe gjatë periudhës së vjeshtës, Ishujt Kanarie janë të mbipopulluar edhe në kohë, ndaj kujdesuni që rezervimin ta bëni minimalisht 3 muaj para. Më i famshmi mes 7 ishujve të Kanaries është Tenerife, i famshëm për plazhet e tij dhe infrastuktrën e zhvilluar të turizmit. Tenerife u pushua 500 vjet më parë nga Spanja dhe krenarisht mban mbi vete majën më të lartë të maleve spanjollë, atë të malit të Teides, 3718 m i lartë. Plazhi më popullor është ai i Los Gigantes, ndërkohë që ishulli ofron edhe argëtime të tjera si vizita në Loro Park për të parë nga afër zogjtë tropikal, apo kopshti zoologjik i majmunëve është një tjetër atraksion për të mos u humbur. Brigjet e Tenerifes janë kryesisht të thyer dhe të pjerrët, veçanërisht në veri të ishullit. Megjithatë, ishulli numëron më shumë se 67 kilometra plazhe të cilat variojnë nga ato me rërë të zezë e me guralecë në veri e deri tek ato me rërën tipike shumë fine dhe të çelët, gati në të bardhë. Ishulli përshkohet lehtasi me makinë, mund të merrni një të tillë me qera, ose nëse doni të kurseni, linja e autobusit mbetet padyshim zgjedhja më ekonomike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›