E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej” rihapet edhe për makinat

22/09/2011  Bashkia e Tiranës aksion për zgjerimin e punimeve për të lehtësuar trafikun e rënduar

Plani i ri i masave, krahas këmbësorëve në shesh do të ketë aks qarkullimi dhe për automjetet

Sheshi “Skënderbej” rihapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht grupet teknike kanë nisur punën në terren për shtrimin dhe rregullimin e sipërfaqeve të sheshit, të cilat krahas këmbësorëve do të mund të shfrytëzohen edhe nga automjetet. Ndryshe nga sa ishte planifikuar në planin belg për rikualifikimin e sheshit gjatë administratës së mëparshme të këtij institucioni, zyrtarët e Bashkisë kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme hapjen e aksit që do të jetë në dispozicion të automjeteve. Konkretisht është parashikuar që brenda pak javësh të shkojnë drejt mbylljes punimet bazë, që do të lejojnë çeljen e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve në shesh. Fillimisht puna po zhvillohet me asfaltimin e akseve rrugore që të çojnë në hyrje të sheshit, të cilat brenda pak javësh do të jenë të lira. Mbyllja e këtyre punimeve do të sigurojë lëvizjen e makinave pa asnjë kufizim në rrethrrotullimin më të rëndësishëm të kryeqytetit. Lidhur me këto punime drejtori i përgjithshëm i menaxhimit të shërbimeve në Bashki, Taulant Zeneli, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në ndërhyrjet që do t’i bëhen sheshit nuk do të mungojnë edhe hapësirat e gjelbra, duke shtuar se punimet po vijojnë me ritme të larta. Ndërhyrja ka nisur menjëherë për të shmangur trafikun kaotik të kryeqytetit të krijuar që pas bllokimit të sheshit në qendër të Tiranës. Mjetet e Bashkisë së Tiranës kanë nisur punën për asfaltimin e akseve që hyjnë në këtë shesh. Sipas Zenelit, kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe për të cilën pohohet se është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve. “Bashkia e Tiranës po punon me ritme të larta për rehabilitimin e sheshit «Skënderbej». Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës, që mbetet një burim i vazhdueshëm i stresit për qytetarët dhe i ndotjes së ambientit. Kjo për sa i përket ndërhyrjeve emergjente. Ndërkohë specialistët e Bashkisë, inxhinierët, po shqyrtojnë mundësi të tjera për ndërhyrje afatgjata, në mënyrë që sheshi «Skënderbej» të ndihmojë në trafikun e Tiranës dhe në krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe të mos kthehet në një pengesë apo problem për qytetarët”, - ka deklaruar Zeneli. Më tej ai ka sqaruar se me përcaktimet e bëra mbi ndryshimet që duhet të pësojë në të ardhmen, sheshi “Skënderbej” do të ketë hapësira të caktuara për lëvizjen e këmbësorëve si dhe hapësira të shumta gjelbërimi. “Do të bëhet hapja e sheshit për lëvizjen e trafikut në mënyrë të kontrolluar duke vendosur sinjalistikën horizontale, vertikale, semaforët. Sheshi do të jetë i lirë për lëvizjen e trafikut. Këto janë dy anët e bulevardit kryesor dhe në të gjitha rrugët hyrëse në shesh do të ketë sinjalistikë, që do të komandojë lëvizjen e trafikut, si të mjeteve të transportit urban, ashtu edhe atij privat. Pjesa e gjelbërimit do të jetë vazhdimi i sheshit dhe pjesë të tjera që nuk janë për trafik”, - ka shtuar më tej Zeneli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›