E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Muaji i mjaltit”, grekët e dëshirojnë!



Bashkëprodhimi filmik shqiptaro-serb ka tërhequr vëmendjen e grekëve. Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Selanik, produksioni filmik “Muaji i mjaltit” është vlerësuar me çmimin e publikut në Greqi. Bashkëpunimi kinematografik shqiptaro-serb, i cili është edhe prodhimi i parë në historinë e marrëdhënieve institucionale shqiptaro-serbe mban si autor regjisorin e njohur serb, Paskaljeviç dhe skenaristin Genc Përmeti. Pas pjesëmarrjes në festivalin e filmit në Venecia, filmi i ri rrëmben një çmim të rëndësishëm në këtë festival, atë të publikut grek. Filmi i cili zgjat 95 minuta dhe ka në qendër fatet e dy çifteve, një shqiptar dhe një serb, të cilët nisen drejt Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë. Ngjizja e këtij prodhimi të përbashkët, i pari produksion shqiptaro-serb, që u quajt pa asnjë dyshim “Muaji i mjaltit”, u bë i mundur pas një viti që nga lindja e idesë, kur u mor mbështetja financiare nga Ministria serbe e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare dhe “Pulia Film Commission”. Historia shqiptare me bashkëpunimin e Genc Përmetit, është një çift i ri që kërkon të largohet nga Shqipëria, sepse rrethanat e kanë bërë të pamundur marrëdhënien e tyre. Ëndrrat e këtyre të rinjve mund të realizoheshin në Perëndim, por për këtë u duhej jo vetëm kurajo, por edhe fat. Këtu çështja komplikohet, çifti shqiptar mbahet në portin e jugut në Itali, ndërsa ai serb në kufirin hungarez. Çiftet mbahen si të dyshuara nga policitë e vendeve përkatëse, pasi dyshohen se kanë marrë pjesë në një incident të ndodhur në Kosovë ku janë vrarë dy ushtarë italianë të OKB-së. Ekipi filmik përfshin një përzierje të aktorëve të mirënjohur serbë, ku dallohet i mirënjohuri Lazar Ristovski, i cili është aktori i parë më shpesh në filmat e Paskaljeviçit, ku luajnë edhe aktorë shqiptarë e italianë. Ai aktorët protagonistë luajnë ata serbë dhe nga pala shqiptare, Yllka Mujo e Bujar Lako. Filmi është një bashkëprodhim mes shtëpive filmike “Nova Film” në Beograd, “Ska-ndal” në Tiranë, “Verdeoro” dhe “Paolomar” në Itali, “Neue Cameo Film” në Gjermani dhe “Swiss Effects” në Zvicër. Filmi është prodhuar me mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Ministria e Kulturës së Serbisë (Serbi) Pulia Film Commission (Itali) dhe buxheti kap vlerën 1.5 milion eurosh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›