E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen bombula e gazit, vdesin dy, plagosen tri të tjerë



Tragjedi në një familje në qytetin e Beratit. Shpërthimi i një bombule gazi ka shkaktuar vdekjen e dy pjesëtareve të familjes, plagosjen e tri të tjerëve dhe djegien plotësisht të banesës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Muzakaj” në Berat në një banesë private. Referuar burimeve zyrtare policore, bëhet e ditur se shpërthimi i bombulës së gazit ka ndodhur rreth orës 09:00 të ditës së djeshme në lagjen “Muzakaj” në Berat. Familja Kajo me 7 anëtarë është zgjuar si përherë mëngjesin e djeshëm dhe dikush nga anëtarët ka tentuar të vërë në punë bombulën e gazit që përdorej për gatim. Ky mendohet se ka qenë çasti fatal kur bombula ka shpërthyer në banesën private dhe gjithçka është përfshirë nga flakët. Fqinjët ka njoftuar menjëherë policinë, zjarrfikëset dhe ambulancën për t’u dhënë ndihmën e parë anëtarëve të familjes Kajo. Forca të mëdha të policisë dhe zjarrfikëseve mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pa mundur të shpëtojnë banesën, e cila është shkrumbuar brenda pak minutave, si dhe dy nga banorët e kësaj banese. Nga të njëjtat burime mësohet se janë gjetur të pajeta 2 motrat e familjes Kajo, ndërsa 3 anëtarë të kësaj familjeje janë plagosur, mes të cilëve, djali dhe kryefamiljari janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën. Sapo zjarrfikësit kanë lokalizuar flakët, janë vënë menjëherë në kërkim të 2 anëtareve të familjes që fillimisht u konsideruan të zhdukura. Por, pas kërkimeve disaorëshe, nën gërmadhat e banesës së djegur plotësisht u gjetën trupat e pajeta të motrave 15 dhe 5 vjeçe. Policia dyshon se vdekja është shkaktuar nga asfiksia dhe djegiet e rënda. Ndërkohë kanë nisur dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vërteta që solli tragjedinë për familjen Kajo. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku kryesor mund të ketë qenë një rrjedhje e mundshme e bombulës që përdorej për gatim në këtë familje, e cila më pas solli edhe tragjedinë në familje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›