Siguria e vaksinave të gripit të derrit, në pikëpyetje
Siguria e vaksinës së gripit të derrit është vendosur në pikëpyetje nga një numër mjekësh dhe profesorësh, të cilët thonë se efektet anësore janë shqetësuese. Megjithatë, OBSH deklaron se këto efekte anësore janë të pritshme dhe se nuk duhet pasur frikë. Ndërkaq në Britani raportohet një formë e virusit që i bën ballë trajtimit me “Tamiflu”, teksa OBSH konfirmon rastin e mutacionit të shfaqur në Norvegji.
Siguria
Vaksina e re nuk është e sigurt sipas një sërë shkencëtarësh, të cilët po shohin me vëmendje efektet e para anësore të shfaqura nga ky virus. Edin Hangton, profesor në Universitetin e Kardifit tregon për gazetën britanike “The Guardian” se efektet e para anësore të vaksinës janë shqetësuese për komunitetin mjekësor botëror dhe se duhet më shumë vëmendje. “Vaksina është ende e pasigurt. Deri tani janë raportuar më shumë se 20 raste vdekjesh pas kryerjes së vaksinës dhe kjo është një shifër që duhet të na shqetësojë. Këtu kemi të bëjmë me një vaksinë të krijuar në situatë pandemike, pra që është hedhur në treg pa u provuar tërësisht në njerëz. Për këtë arsye vaksina është ende e pasigurt”, – thotë ai.
Ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka siguruar të gjithë qytetarët se nuk ka rrezik nga ky virus. Me anë të një komunikate, OBSH deklaron se rastet e vdekjeve nuk tregojnë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me vaksinën, edhe pse ato kanë ndodhur menjëherë pas kryerjes së vaksinës. Sipas OBSH, specialistët e organizatës i kanë hetuar të gjitha këto raste. “Një numër i vogël vdekjesh ka ndodhur tek njerëzit që janë vaksinuar. Të gjitha këto vdekje të raportuara te OBSH-ja janë duke u hetuar. Megjithëse disa nga hetimet janë në zhvillim e sipër, rezultatet e hetimeve të përfunduara, të cilat i janë raportuar OBSH-së nuk kanë përcaktuar një lidhje direkte të vaksinës me shkaqet e vdekjeve”, – deklaron OBSH-ja.
Deri tani më shumë se 20 shtete kanë nisur fushatat masive të vaksinimit të popullsisë, ndërsa 20 të tjera pritet t’i nisin ditët që vijnë. Sipas statistikave të ofruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se 40 milionë persona janë vaksinuar tashmë me vaksinën e gripit pandemik, ndërsa 30 milionë të tjerë pritet të vaksinohen në ditët e mbetura të nëntorit.
OBSH: Efektet anësore të pritshme
OBSH-ja ka lajmëruar se të gjitha efektet anësore të shfaqura deri më sot janë të pritshme dhe se asnjë prej tyre nuk ka kaluar pritshmërinë e saj. Sipas OBSH-së, përveç efekteve anësore në vendin e bërjes së vaksinës janë vërejtur edhe sëmundje të personave të vaksinuar me temperaturë dhe dhimbje, porse të gjitha këto kalojnë brenda 48 orësh duke mos përbërë problem. “Siç pritej, efektet anësore janë zakonisht të raportuara mbi fryrjen, skuqjen apo dhimbjen në vendin e bërjes së vaksinës, e cila zakonisht zgjidhet vetiu pak pas vaksinimit. Temperatura, dhimbjet e kokës, lodhje, dhimbje muskujsh etj., që ndodhin menjëherë pas bërjes së vaksinës, janë raportuar gjithashtu, por në më pak raste. Këto simptoma zakonisht zgjidhen, brenda 48 orësh. Për më tepër, janë vërejtur edhe raste të një sërë alergjish. Këto lloj efektesh vërehen në masën e paramenduar”, – bën të ditur OBSH-ja.
Gjithashtu, OBSH-ja ka deklaruar se janë vërejtur raste të sindromës Guillain-Barre, që ka të bëjë me sëmundje neuropatike të shkaktuara nga vaksinat, porse sërish, numri i të prekurve është brenda normales, sipas organizatës. Për më tepër, rastet e prekura nuk kanë vdekur, në ndryshim nga viti 1976, kur 25 veta vdiqën në SHBA nga kjo sindromë e shkaktuar nga vaksina e epidemisë së gripit të derrit të atij viti. “Deri më sot, ka më pak se dhjetë raste të dyshuara me sindromën Guillain-Barre janë raportuar për njerëzit që kanë marrë vaksinën. Këto numra janë normale, sipas studimeve të fundit. Megjithatë, në të gjitha këto raste po zhvillohen hetime për të përcaktuar nëse shfaqja e sindromës është e lidhur me vaksinimin”, – bën të ditur OBSH, duke shtuar se të gjitha rastet e prekura nga kjo sindromë deri më sot janë shëruar.
OBSH përfundon raportin e vet, duke bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen, pasi deri më tani, vaksina rezulton e sigurt dhe të gjitha efektet anësore janë të pakta dhe të lehta, duke mos vendosur në rrezik jetën e njerëzve.
Rezistencë ndaj “Tamiflusë”
Por, një lajm nga Britania erdhi për të lëkundur ujërat e qeta të kohëve të fundit mbi gripin e derrit. Në spitalin e Kardifit, kryeqytet i Uellsit, është zbuluar një formë e gripit të derrit, i cili i ka rezistuar “Tamiflusë” dhe është përhapur ndërmjet pacientëve të këtij spitali. Megjithatë, mjekët e Uellsit nuk flasin ende për mutacion, por thjesht për një formë më të egër të virusit.
“Doktorët në Uells kanë zbuluar një formë të gripit të derrit që i reziston “Tamiflusë” dhe që është shpërndarë nga pacient në pacient në spitalin e Kardifit. Ekzistenca e një virusi thjeshtësisht të përçueshëm, të rezistueshëm nga ilaçet është një zhvillim shqetësues për zyrtarët e shëndetësisë dhe që duhet se është rasti i parë i dokumentuar në Evropë”, – bën të ditur gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”.
Mutacion në Norvegji
Rasti i mutacionit të gripit të derrit i raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik të Norvegjisë, tashmë është konfirmuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila duket se i frikohet ndryshimit që po pëson virusi i gripit të derrit, A/H1N1. OBSH ka deklaruar se këto dy raste të raportuara nga instituti norvegjez, e që kanë rezultuar në dy vdekje dhe një person të tretë në gjendje kritike, tregojnë për mutacion të virusit. “Shkencëtarët norvegjezë kanë analizuar mostra të marra nga më shumë se 70 pacientë me sëmundje klinike dhe deri tani nuk janë vërejtur raste të tjera mutacioni, duke treguar se mutacioni nuk është i shpërndarë në gjithë vendin, por vetëm në kryeqytetin Oslo”, – bën të ditur OBSH. “Të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksina e virusit mbulon edhe këtë mutacion”.
Megjithatë mutacioni i virusit tregon se ai mund të marrë forma të tjera, çka mund të shndërrohet në një virus më të rrezikshëm, rezistent si ndaj vaksinës edhe ndaj ilaçeve të ofruara deri më sot.