Mubarak, në koma, krizë e re kardiake

Hosni Mubarak
Ish-rais tani lufton mes jetës dhe vdekjes. Bashkëshortja i rri te koka, e shoqëruar nga një familjar.
KAJRO – Ish-presidenti, i cili gjendej i dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Kajros, është transportuar me urgjencë në një strukturë shëndetësore ushtarake pas një ataku të ri në zemër. E bën të ditur këtë lajm agjencia egjyptiane e lajmeve, MENA. Në një moment të parë mjekët menduan se ai ishte klinikisht i vdekur. Por lajmi u përgënjeshtrua më pas nga autoritetet dhe avokatët e tij: “Është në koma. Një respirator e mban në jetë. Ndërsa është bashkëshortja që i ka qëndruar pranë pas orës 1 të natës, e shoqëruar nga një familjar.
Gjendja shëndetësore e ish-presidentit 84-vjeçar u rëndua pas 2 qershorit të kaluar, ditë kur iu dha sentenca e dënimit me burgim të përjetshëm, pasi kishte urdhëruar represionin që solli vdekjen e së paku 850 manifestuesve në Egjipt vitin e kaluar.
Në sheshin Tahrir në Kajro, lajmi i vdekjes dhe komës së Mubarak u prit me gëzim. Dhjetëra mijëra njerëz mbushën përsëri sheshin, si simbol i revoltës anti-rais. /M.A./