Serie A, varrezë e trajnerëve

Kur Davide Ballardini u shkarkua nga Cagliari të dielën, ai u bë trajneri i 15-të nga 20 skuadra në Serie A që humbi detyrën gjatë këtij sezoni. Italia shpejt është shndërruar në një varrezë për trajnerë pasi presidentët e klubeve kanë durim të kufizuar te ata të cilët i emërojnë në drejtim të ekipeve.
Situata është aq e rëndë sa që presidenti i Cagliarit, Massimo Cellino, sapo shkarkoi trajnerin e tretë brenda më pak se shtatë muajve.
Në gusht të vitit të kaluar, në përgatitje për sezonin e ri, Cagliari shkarkoi nga detyra ish selektorim e Italisë Roberto Donadoni pas një ndeshjeje miqësore – të cilën e kishte fituar – dhe u zëvendësua nga Massimo Ficcadenti. Ky rezistoi vetëm tre muaj para ardhjes së Ballardinit, i cili po ashtu u shkarkua katër muaj më vonë e në vend të tij u rikthye Ficcadenti.
Kjo është lëvizje e shpeshtë në Itali. Në vend se të paguajnë kompensimin për periudhën e mbetur të kontratës pas shkarkimit të trajnerëve, presidentët e klubeve italiane i rikthejnë ata në detyrë pas largimit të pasardhësit. Disa vite më parë, trajneri i tanishëm i Udineses, Francesco Guidolin kishte katër aventura në Palermo mes 2004 dhe 2007.
Presidenti i skuadrës siciliane, Maurizio Zamparini konsiderohet si presidenti më i rreptë në Itali pasi prej kur e bleu klubin 10 vite më parë, ka ndërruar mesatarisht më tepër se dy trajnerë në sezon. Kjo situatë e ka lënë të shokuar presidentin e Shoqatës së Trajnerëve, Renzo Ulivieri.
“Është çmenduri. Jetojmë në një periudhë në të cilën nuk mund të qëndrojmë të qetë. Sa herë që ekziston një konflikt, pasoja bie mbi më të pafuqishmin, trajnerin” tha ai.
Shkarkimi i Ballardinit nënkuptoi se deri më tani gjatë këtij sezoni në Itali janë bërë më tepër ndryshime në stafin teknik sesa në Angli (katër), Gjermani (gjashtë) dhe Francë (katër) së bashku. Vetëm La Liga e Spanjës ka bilanc të krahasueshëm me nëntë shkarkime.
Pas Cagliarit, ata që kërkojnë trajnerin e tyre të katërt këtë sezon janë Palermo, Cesena dhe Novara. Ndërsa gjashtë skuadra tjera tashmë kanë shkarkuar trajnerin me të cilin e kishin filluar sezonin. Bilanci i Cellinos duket se një ditë do të rivalizojë atë të Zamparinit. Presidenti kontrovers i Palermos ishte pronar i Venezias nga 1987-2002, kurse në 25 vitet e deritashme si president ka ndërruar 45 trajnerë.
Këtë sezon të jesh trajner në Itali ka qenë sikur të punosh në një fushë të minuar. Donadoni dhe Stefano Pioli në Palermo të dy humbën detyrat e tyre para fillimit të sezonit. Gian Piero Gasperini qëndroi vetëm pesë ndeshje zyrtare në drejtim të Interit para se të zëvendësohet nga Claudio Ranieri. Por, edhe ish trajneri i Chelseas, i Juventusit dhe i Romës është nën presion dhe vështirë se do të qëndrojë gjatë në detyrë.
Ndoshta shkarkimi më i ashpër ishte ai i Atillio Tesserit nga Novara, i cili kishte kthyer skuadrën në Serie A për herë të parë pas 55 vitesh. Tretmani i pasardhësit të tij, Emiliano Mondonico nuk është më ndryshe. Pas rikuperimit nga kanceri abdominal, Mondonico udhëhoqi skuadrën për gjashtë ndeshje, gjatë të cilave mblodhi pesë pikë, para se të shkarkohet dhe zëvendësohet nga Tesser.
Për të shtuar telenovelën, Edy Reja dy herë dha dorëheqje në Lazio – të cilat iu refuzuan – i ngopur nga kritikat e vazhdueshme nga tifozët dhe mediet lokale. Lazio është duke kaluar një sezon pozitiv dhe është në garë për kualifikim në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.