Zeqo: Nuk më intereson çfarë thonë njerëzit e dëshpëruar
Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, ka qenë i detyruar të reagojë sërish për deklaratën e trajnerit Shkëlqim Muça kundër ekipit korçar
Kanë filluar sërish përplasjet mes kampit korçar dhe atij vlonjat. Në fakt, luftën sikur e ka nxitur më shumë media kësaj radhe, teksa në shtypin sportiv është folur edhe për teatër në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Skënderbeut, e luajtur javën e fundit në Peqin. Për këtë presidenti i ekipit korçar, Agim Zeqo, reagoi menjëherë në gazetën Sporti shqiptar, duke i quajtur karagjozë ata që shpifin, sipas tij.
Por duke marrë shkak ndoshta nga media, dje në shtypin sportive ka pasur një deklaratë të trajnerit të Flamurtarit, Shkëlqim Muça, i cili kërkon që të hetohet ndeshja e sipërpërmendur, pasi sipas këtij të fundit, ndeshja ka hije tolerimi, teksa thotë se aktorët që merren me futbollin e kuptojnë që është një ndeshje e lënë nga ana e peqinasve.
Kujtojmë që Muça ka drejtuar Skënderbeun dhe ka qenë po ky trajner që mbronte ekipin korçar (me të drejtë se ishte trajneri), por në krahun tjetër lëshonte thumba ndaj ekipit të Flamurtarit. I kërkuam të merrnim një prononcim presidentit të Skënderbeut, Agim Zeqo, në lidhje me këtë deklaratë të trajnerit Muça, por ai ka dashur që mos i përgjigjet në mënyrë direkte. Gjithsesi, ai lë shumë nënkuptime, ku sipas Zeqos, njerëzit kur nuk kanë sukses, fillojnë e sajojnë lloj-lloj gjërash për të justifikuar dështimin në objektivat e tyre.
Reagimi i Zeqos Skënderbeu do të mundohet ti fitojë të gjitha ndeshjet, sepse është vetmja mënyrë për të realizuar objektivat. Se çfarë thonë të tjerët, mua nuk më intereson aspak. Këta njerëz që flasin kundër Skënderbeut janë të dëshpëruar, mundohen të sajojnë gjëra kundër nesh, në mënyrë që të shkëpusin vëmendjen nga dështimi i tyre, duke u justifikuar nga mungesa e rezultateve.
Tashmë u mësuam me këto gjëra, por mund të them që na bëjnë më të fortë, pasi na nxitin më shumë për të fituar, është shprehur numri një i klubit korçar, që nuk dëshiron të merret shumë me këta njerëz që flasin lart e poshtë nëpër media. Por Zeqo flet edhe për një gjë tjetër, teksa i vë emrin puç, që disa njerëz u munduan të bëjnë kundër klubit që financon prej tri sezonesh.
Pavarësisht puçit dhe përpjekjeve që bëri për të na dëmtuar Komisioni i Apelit dhe disa presidentë klubesh, ne u bëmë më të fortë. Do të luajmë fort, ndoshta edhe ndaj këtyre njerëzve, që mundohen të na vënë shkopinj nën rrota. Tashmë e kanë parë të gjithë ekipin e Skënderbeut dhe formën e tij.
Nëse disa nuk e duan, ky është problemi i tyre, ne do të vijojmë të bëjmë më të mirën, pasi u kemi premtuar të gjithë tifozëve që do të çojmë trofe të tjera në Korçë dhe do të bëjmë më të mirën ndeshje pas ndeshjeje, deri në realizimin e objektivave, shton presidenti i ekipit kampion. I pyetur në lidhje për ndeshjen e sotme, pikërisht ndaj Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë, Zeqo thotë shkurt:
Natyrisht që ekipi do të bëjë më të mirën, edhe pse kam mësuar se do të kemi disa mungesa. Ne nuk jemi nën presion rezultati, kjo është pozitive. Futbollistët nuk ka nevojë ti motivosh, ata tashmë e dinë se çduhet të bëjnë. Ne nuk i shohim ndeshjet për jetë a vdekje, thjesht do të luajmë futboll dhe rezultatin do ta shohim në fund.
Ja çfarë tha Zeqo pasi e cilësuan ndeshjen teatër
Nuk jam shqetësuar aspak nga artikujt që shkruhen nëpër mediat shqiptare, aq më tepër në një media aspak profesionale. Fakti që në këto shkrime, që e cilësojnë teatër, nuk vendosin as emër se kush është gazetari, kjo tregon sesa qesharake janë këto shkrime. Edhe vetë jam çuditur kur e kam lexuar fjalën teatër dhe dua të them se ata anonimë gazetarë që bëjnë të tilla gjëra, janë thjesht karagjozë dhe aspak më shumë se kaq. Jam i bindur që këto janë gjëra të qëllimshme, që bëhen vetëm e vetëm për të prishur imazhin e Skënderbeut. Një tjetër qëllim madhor i tyre është edhe ai që kanë për të dëmtuar maksimalisht futbollin. Ne do të shikojmë vetëm punën tonë dhe nuk na duhet të merremi me këto fjalë dhe këtë ua kam thënë edhe stafit dhe futbollistëve, pasi akoma nuk jemi atje ku duhet të ishim. Ekipi dhe stafi po punojnë maksimalisht që të bëjnë të mundur realizimin e objektivave madhore që kemi këtë vit dhe këto fjalë sjanë gjë tjetër, por vetëm shpifje dhe asgjë më shumë se kaq. Ne do të ecim përpara.
