E Diel, 1 Nëntor 2026

Muça: “Përgatitorja në Turqi na ka shërbyer shumë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë – E ka vlerësuar me nota maksimale turneun e zhvilluar në Turqi trajneri i bluve, Shkëlqim Muça. Ai tashmë ka në dispozicion një ekip të kompletuar, të gatshëm për të vazhduar fitoret e radhës në Superligë dhe për të mbajtur kreun. Trajneri i kampionëve të dimrit, Shkëlqim Muça, në një prononcim për shtyp e ka cilësuar si tepër efikase fazën përgatitore të zhvilluar jashtë. “Turneu që zhvilluam në Turqi ka qenë shumë efikas. Stërvitja atje zhvillohet në kushtet ideale. Ne arritëm që të ezauronim të gjithë ato pikësynime që ne ia vumë vetes para se të niseshim. Së pari, kemi zhvilluar takime miqësore në data që donim ne pra në data që kishim planifikuar më parë pra në datë 9, 12 dhe 16-të. Plus që arritëm të zhvillonim këto miqësore përballë ekipeve që u përkisnin të tria niveleve. Pra ne u ndeshëm me skuadra të Kategorisë së Parë (Goztebe) të Kategorisë së Dytë (Canakalespor) dhe të Ligës Superiore (Diyarbakirspor).” - tha Muça. Ndërkohë që nuk harron të shprehë mosaprovimin e tij në lidhje me ndeshjen e radhës me Realin e Madridit dhe me lojtarët e tij, të cilët do të huazohen tek ekipi i Gramozit, vetëm për këtë ndeshje. “Largimi i lojtarëve për miqësoren me Realin më duket diçka absurde. Për mendimin tim them se nuk është normale që në drejtim të Gramzoit të huazojmë disa lojtarë sa për të luajtur këtë takim”,- vazhdoi ai. Tekniku i bluve e ka cilësuar ndeshjen me Realin e Madridit pa rëndësi. Por shtoi se gjithçka do të ishte ndryshe, nëse ndaj galaktikave do të ishte një ekip i përbërë nga lojtarë të përzgjedhur nga Superliga. “Kjo nuk është një lëvizje e zgjuar, pasi ajo ndeshje nuk ka asnjë rëndësi. Gjithçka do të ishte ndryshe, nëse në vend të Gramozit do të luante një seleksiono lojtarëve shqiptarë që luajnë në Shqipëri. Por përderisa luan Gramozi, atëherë nuk kemi pse lëshojmë futbollistë për takime pa rëndësi. Gjithsesi, dua të nënvizoj faktin se ky është mendimi im dhe se një vendim përfundimtar mund të merret vetëm nga drejtuesit e klubit, pasi janë ata që vendosin për gjithçka”,- u shpreh Muça.

Derbi me Tiranën
Takimi i parë i janarit për Dinamon do të jetë me rivalët e tyre të përhershëm bardheblu të Tiranës. Në bazë të vendimit të marrë nga FSHF, ndeshja do të luhet një ditë me vonesë. Për Muçën, kjo nuk do të thotë favorizim për ekipin, por vetëm një ditë më shumë stërvitje. “Tani e kemi marrë vesh se në cilën datë luhet ndeshja. Ne e dinim se takimi do të luhej më 23, ashtu siç ishte parashikuar nga kalendari. Por gjithsesi, ndryshimin e kësaj date nuk e shoh si favor që na është bërë neve, pasi për të dy skuadrat do të ketë nga një ditë më shumë stërvitje”,- shtoi tekniku bardheblu. Muça dha mendimin e tij edhe për merkaton e zhvilluar nga klubi gjatë dimrit dhe blerjen e Jovanoviçit dhe Beqirit. “Jovanoviç është një lojtar i mirë. Por më duhet të them se lojtarë më aftësi dhe kapacitete të tilla ne kemi. Serbi ka një mangësi shumë të madhe. Ai është shkëputur nga stërvitja para një muaji dhe tani si zor se rikuperon formën më të mirë për të na treguar atë çka di të bëjë. Gjithsesi, them se fjalën e fundit do ta thonë drejtuesit, ata duhet të marrin parasysh se a ia vlen kostoja e këtij lojtari për ta mbajtur në stol”,- tha Muça, duke shtuar: “Për mua do të qëndrojë në stol. Për sa i preket Elvin Beqirit, unë nuk di të ketë kontakte me klubin tonë. Edhe pse më duhet të them se tashmë është shumë vonë. Gjithçka duhej bërë përpara se ne të niseshim në Turqi, tashmë nuk vlen asgjë. Ekipi i Dinamos gjatë ditëve të para të janarit nuk ka kaluar një periudhë të mirë për sa u përket dëmtimeve në skuadër. Një numër i madh lojtarësh janë dëmtuar dhe nuk kanë marrë pjesë rregullisht gjatë fazës përgatitore që ka zhvilluar klubi në Turqi. Por tashmë Muça nuk ka më dhimbje koke, pasi Malota, Soza, Pisha (u stërvit dje me klubin dhe sot do të bëjë edhe një grafi të dytë për sa i përket dëmtimit që pësoi në Turqi) dhe Ferra nuk janë më të dëmtuar dhe janë stërvitur dje me ekipin. “Grada e dëmtimit ishte e vogël, unë kisha problem vetëm se këto lojtarë nuk luajtën në miqësoret në Turqi. Por tashmë ata kanë rikuperuar dëmtimet e tyre dhe mendoj se të gjithë do të jenë gati për derbin”.

Stërvitje e plotë

Dje Shkëlqim Muça punoi fort me të tijët. Seanca e parë, e zhvilluar pas fazës përgatitore në Turqi, zgjati plot 2 orë e 20 minuta. Futbollistët në fillim zhvilluan vrap të lirë, më pas u morën me ushtrime fizike dhe më pas iu rikthyen përsëri vrapit. Më pas Muça zhvilloi edhe një minindeshje për rreth 17 minuta. Në këtë takim autorët e golave ishin Ivanoviç, Diop dhe Bakaj. Orën e fundit skuadra u stërvit në sytë e drejtorit të Klubit, Eduart Gjini. Emiliano Vila shfaqi aftësitë e tij përpara tifozëve shqiptarë. Pas seancës stërvitore, Vila tha se “ndihem shumë mirë këtu tek Dinamo. Shokët e mi të ekipit janë sjellë shumë mirë me mua. Gjithsesi, them se ajo çka po më mundon është fakti se kam dëmtuar kaviljen dhe ky dëmtim nuk po më kalon. U dëmtova kur u grumbullova me kombëtaren dhe tani po mundohem të lë çdo gjë prapa. Për sa i përket transferimit këtu, unë mendoj se pasi të mbarojnë këto gjashtë muaj huazim që jam këtu, atëherë do të flasim me drejtuesit e klubit për të parë se çdo të bëjmë. Unë jam aktivizuar atje, po vetëm në fund nuk e di pse nuk zhvillova më ndeshje. Por gjithsesi, mund tju them se vendimin për të ikur nga Kroacia e mora së bashku me Dinamon e Zagrebit. Edhe Kuzhe është shumë optimist për kalimin tim tek Dinamo, pasi këtu mund të luaj në vazhdimësi. Tani të shpresojmë për titullin”.

Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›