E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e dënuara, apel Presidentit Bamir Topi për falje

Sulaj: Burrin ma vranë për 8 mijë lekë, fëmijët më kanë ngelur vetëm në shtëpi. U dënova vetëm për 90 rrënjë kanabis

Gratë e dënuara ripërsërisin kërkesën ndaj kreut të shtetit, z. Bamir Topi, duke kërkuar prej tij të aplikojë ligjin e faljes për festat e fundvitit. Gjithashtu, ato i kujtojnë Presidentit të përfshijë sa më tepër gra të dënuara në listën e faljeve dhe të mund të shohë mundësinë që faljet për të dënuarit të jenë të paktën dy herë në vit, një herë për festat e fundvitit dhe një herë për festën e gruas më 8 Mars. Ato i kujtojnë Presidentit përmes medias se ka një numër të madh grash që u ka mbetur nga një vit apo dy vjet burg, ndërkohë që nuk janë të pakta ato që nuk kanë përfituar asnjëherë nga faljet e fundvitit. Apeli i 90 grave të dënuara është bërë gjatë një aktiviteti të zhvilluar në ambientet e brendshme të këtij burgu nga rrejti i gruas për “Barazi në vendimmarrje” të mbështetura nga NDI, të cilat kanë menduar që për dy orë të jenë pranë këtyre grave, për të dëgjuar hallet dhe problemet e tyre, ndonëse janë brenda hekurave. Përgjatë aktivitetit të djeshëm, ku të pranishëm ishin zv.ministri i Drejtësisë Ermal Dobi dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, koordinatorja e rrjetit për Tiranën, Mimoza Hajdarmataj, u ka dorëzuar grave dy lavatriçe, donacion nga kompania “Neptun”, disa libra e bluza, për ta përfunduar me një koktej. Aktivitetin e përshëndeti edhe z. Dobi, i cili përcolli fjalën e kreut të institucionit, Bujar Nishani, për këtë aktivitet, i cili falënderonte iniciativën e këtyre grave të rrjetit për t’iu gjendur pranë grave të dënuara, për t’i dëgjuar dhe për të bërë të mundur përcjelljen e zërit të tyre pranë institucioneve vendimmarrëse. Më pas, aktivitetin përshëndetën edhe gratë e tjera të pranishme, Violeta Sinoimeri e Myrvete Pazaj, ndërkohë që drejtoresha e NDI-së për Shqipërinë, Sasha Pajeviç, u premtoi të dënuarave se do të përpiqet që punimet e tyre të dorës t’i promovojë dhe t’u gjejë një treg shitjeje. Aktiviteti i djeshëm, i organizuar nga rrjeti i grave për “Barazi në vendimmarrje” kishte për synim që me praninë e tyre, qoftë edhe për 2 orë, gratë e rrjetit të dëgjojnë zërin e këtyre grave, nevojat e tyre dhe për çfarë mund t’u gjendjen pranë përmes politikave të ndryshme integruese në bashkëpunim me institucione në rangje ministrish, por edhe pranë ndërkombëtarëve. Qëllimi i këtij aktiviteti është që gratë e rrjetit të ndikojnë sadopak në disa struktura të caktuara për trajnime dhe politika punësimi brenda burgut. Në përfundim të takimit, gratë e dënuara dhe gratë e rrjetit vendosën që përmes medias të publikojnë një letër me të gjitha shqetësimet e të dënuarave në burgun 325 dhe më pas t’ia çojnë atë Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Apeli i të dënuarave

“I lutem Presidentit Bamir Topi që të më përfshijë në listën e faljeve për fundvit apo për 8 Mars. Kam tre fëmijë jetimë jashtë që më presin dhe prej një viti ndodhem në burg. Nuk kam burrin që të paktën t’u gjendet fëmijëve, pasi ma vranë për 8 mijë lekë të vjetra në vitin1999”. Me këto fjalë e nis rrëfimin e saj Fatbardha Sulaj, një nga 90 të dënuarat e burgut 325, e cila shprehet për gazetën “standard” se është dënuar nga gjykata e Fierit dhe e Vlorës me 5 vjet burg për 90 rrënjë kanabis sativa. “Në fakt, gjyqin ma bënë në mungesë. Kur kam shkuar një herë te sekretarja e gjykatës, më thanë të hidhja një firmë, duke më thënë se duhej hedhur për të vërtetuar që isha paraqitur. Por, kjo firmë paska qenë që gjyqi im të zhvillohej në mungesë dhe unë të mos dija çfarë do ndodhte më pas”, - shprehet Fatbardha, e cila shton: “Fëmijët i takoj rrallë pasi nuk kanë para të vijnë. Djalin e madh nuk e kam takuar, sepse u ndie keq që kur më futën në burg. I kërkoj Presidentit të vërë dorën në zemër dhe të më përfshijë të lista e të falurve, meqë nuk e bëri për 8 Marsin e kaluar”. Apelit të Fatbardhës nga Fieri i shtohen edhe zërat e Rinelës, Zamirës dhe shumë grave të tjera, të cilat nuk e kanë provuar asnjëherë shijen e faljes nga asnjë prej presidentëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›