E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë aktivitetet në luftën kundër kancerit

Pas një serie aktivitetesh kushtuar muajit të luftës kundër kancerit, në veçanti luftës kundër kancerit të gjirit, aktivitetet sensibilizuese do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave.

Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka lajmëruar organizimin e një debati në Prishtinë, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Alush Gashi.

Ky debat është organizuar pas Ecjes Vjetore të Kosovës për vetëdijesimin ndaj Kancerit të Gjirit (IBKGJ), që u organizuar të shtunën në Mitrovicë nga Iniciativa Ballkanike për luftimin e Kancerit te Gjirit.

Bëhet e ditur se këtë tryezë e organizon Divizioni për Shëndetësi i Kampit Ushtarak Amerikan Bondstill, ndërsa pjesëmarrës do të jenë profesionistë shëndetësor, por edhe aktivistë të luftës kundër kancerit nga Gjilani, Ferizaj, Vitia e Dardana.

Në këtë aktivitet, rëndësi do ti jepet zhvillimit të metodave të detektimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe sensibilizimit të popullatës, sidomos gjinisë femërore që ti qasen pa frikë dhe pa turp kontrollit të hershëm si metodë për diagnostikimin e kancerit të gjirit në stadet e para të tij, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra për informim e MSh-së. Bëhet e ditur se moto e përbashkët e këtyre aktiviteteve është Zbulimi i hershëm -Mbijetesë
Po ashtu në këtë njoftim është bërë e ditur se Ministria e Shëndetësisë, ka rritur sivjet buxhetin për citostatikë, nga 300 mijë euro sa kishte më 2008 në dispozicion, në 4 milionë euro për këtë vit.

Gjithashtu, MSh i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe pajisjeve të spitaleve rajonale me aparaturë për diagnostikë, duke bërë me CT moderne Spitalin Rajonal të Gjilanit, atë të Pejës, të Gjakovës, ndërkohë që gjatë kësaj jave, pritet që CT-ja të futet në funksion edhe në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, thuhet në këtë komunikatë.

Ndërsa, pritet që pas një kohe të shkurtër, për herë të parë në Kosovë, të nis edhe aplikimi i radioterapisë, që pritet të lehtësojë shumë trajtimin e të prekurve nga kanceri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›