Muhamet Mustafa, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike
Në bazë të marrëveshje midis PDK-së dhe AKR-së ndarjes së posteve, kjo e fundit do të ketë postin e zëvendëskryeministrit, që do të jetë përgjegjës për çështje ekonomike. Mësohet se AKR-ja e ka propozuar Muhamet Mustafën për këtë post. Ai vjen nga grupi i ekspertëve E15, që ishte në koalicion parazgjedhor me AKR-në.
Po ashtu edhe partneri i AKR-së, Partia Social Demokrate e Kosovës (PSDK) do të drejtojë Ministrinë e FSK-së. Ministër do të jetë kreu i PSDK-së, Agim Ceku.
Ministër i Shëndetësisë do të jetë Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, po ashtu partnere parazgjedhore e AKR-së.
Ndërsa zëvendës kryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila do të drejtojë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga liderët Thaçi e Pacolli, Koalicioni për Kosovën e Re, përsos postit të presidentit, që kandidat i vetëm i koalicionit pritet të jetë Behxhet Pacolli, do të ketë edhe pesë zëvendësministra, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur më vonë.