Muja: Nuk jam hajn, faj kanë prokuroria dhe këshilltari i LDK-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, aktakuzën e ngritur nga EULEX-i e ka vlerësuar të mërkurën kryekëput politike. Ai për herë të parë, bashkë me kabinetin qeveritar ka demantuar të gjitha aktakuzat e ngritura nga EULEX-i.
Kryetari Muja ka akuzuar këshilltarin e LDK-së, Ridvan Hoxhën dhe kryeprokuroirn e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxhajn, për inicimin e të gjitha procedurave për ngritjen e aktakuzës nga EULEX-i. “Këto procedura janë inicuar nga Ridvan Hoxha , i cili është mbështetur dhe përciellur nga Sylë Hoxhaj, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore, dhe bashkëpartiak i Ridvan Hoxhës që nga fillimi “, tha Muja, transmeton PrizrenPress.
Sipas tij, Ridvan Hoxha përfaqëson interesat e ngushta dhe meskine të familjarëve të vet. “ Ashtu siç ka tregimin e vet të sajuar në padi të pabazuar dhe tendencioz Ridvan Hoxha, po ashtu unë kam anën time të detyrave dhe përgjegjësive si kryetar komune”, tha Muja.
Kryetari Muja dhe pesë zyrtarë të tjerë akuzohen nga Prokuroria e EULEX-it se gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në disa raste kanë shpërdorur pozitën zyrtare , të cilat më pas kanë rezultuar me shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takonte Komunës së Prizrenit.
Prokuror i EULEX-it, akuzon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin - drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn - ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin - ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin - drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin - drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Pavarësisht ngritjes së aktakuzës, Muja tha se është krenar për punën që ka bërë deri më tash. “Ndihem krenar për mundësin që qytetarët ma dhanë që t’ju shërbej si kryetar dhe kërkoj mbështetje në programin e zhvillimit të qytetit”, tha Muja.
Nga ana tjetër, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxhaj, nuk ka komentuar shumë akuzat që kryetari Ramadan Muja i ka bërë në drejtim të tij.
Ai tha se me lëndën për Mujën dhe zyrtarëve të tjerë nga fillimi është marrë EULEX-i.
“Ne nuk jemi marrë me atë lëndë. Nga fillimi EULEX-i i ka hetuar ato lëndë”, tha Hoxhaj. /Indeksonline/